Aplikacion
Kryeministri u shpreh se edhe korrupsioni është luftuar dhe ka rënë ndjeshëm, duke iu referuar të dhënave nga BE dhe faktit siç tha ai se Shqipëria ka bërë shumë për hapjen e negociatave me BE. Rama deklaroi se “shumë pretendojnë se kjo reformë u imponua nga ambasadorët”, por kjo nuk ka ndodhur sipas tij, pasi ka qenë vetë Rama që e “ka kërkuar vettingun dhe i ka bindur ata për rëndësinë e tij”.
Në këtë mënyrë ai i përgjigjet edhe deklaratës së kreut të SPAK, Dumani, kohë më parë, se kanë rënë denoncimet e institucioneve për korrupsionin. Rama tha se pushteti ekzekutiv nuk mund të hetojë në mënyrë të brendshme korrupsionin por mund të ngushtojë hapësirat për kryerjen e kësaj vepre penale në institucione. Ndërsa theksoi se ulja e numrit të denoncimeve është lajm i mirë sa i takon impaktit që veprimtaria e SPAK ka dhënë sa i takon parandalimit të rasteve të korrupsionit.
“Dëgjova drejtuesin e SPAK në raportimin e tij para KLP kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion në institucionet shtetërore. E thashë se misioni bazë i pushtetit ekzekutiv nuk mund të jetë hetimi i brenshëm i korrupsionit por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike që ngushtojnë hapësirat për korrupsion përmes mekanizmash që janë jo subjektiv, duke zvogëluar fuqinë e individit për të ndikuar në procese. Unë besoj, se një arsye e rënies së denoncimeve është në fakt impakt parandalues që ka nisur të japë veprimtaria e SPAK dhe ky është një lajm shumë i mirë”, tha Rama.
Më tej kreu i ekzekutivit, dha edhe shifra lidhur me denoncime dhe masa të ndërmarra nga ministria e Drejtësisë për zyrtarë të caktuar duke nisur që nga shkeljet disiplinore. “E solla këtë në vëmendje për të rrëzuar me fakte dhe shifra se rastet që zbulojnë hetimet e SPAK-ut janë rrufe që bien në një territor ku nuk ka asgjë. Në vetëm 2 vitet e fundit, drejtoria anti-korrupsion në ministrinë e Drejtësisë, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 për ndryshime të natyrës ligjore dhe ka dorëzuar në prokurori 48 kallëzime penale”, shtoi kryeministri.
Në fjalën e tij më 5 prill, në mbledhjen raportuese në KLP, Dumani u shpreh si më poshtë:
“Në lidhje me hetimin e krimit të organizuar SPKA ka ndjekur strategjinë e hetimit shterues duke synuar shkatërrimin përfundimtar të tyre. Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit”.
Fjalimi i Ramës për Drejtësinë:
“Rrugëkalimi i Shqipërisë nga shoqëria më e mbyllur, më e varfër, me një të kaluar të gjatë në guackën e mendësisë; me jep të jap, drejt një shoqërie të hapur, nuk ka përfunduar ende! Sepse përpos historisë së gjatë pa shtet dhe institucione, trashëgimisë së rëndë të shtetit komunist, dhe plot ngjarje të tjera, Shqipëria pati dhe një fatkeqësi të vetën, krejt origjinale në këtë udhëkalim nga mendësia otomane ‘më jep të jap’.
Shqipëria u vu gjatë nën presionin e një jete publike të penguar nga fryma tribale e një segmenti politik. Prej 10 vitesh kjo nuk është më një luftë arnash siç ishte para asaj kohe. Arrno këtu apo atje, arno sot pastaj pasnesër. Por është luftë e gjithanshme për goditjen e sistemit të djeshëm. S’ka luftë pa dështime e zhgënjime, nga të cilat mësojmë se çfarë duhet bërë. Kemi bërë shumë. Nuk e them unë, por vendimi shumë domethënës i BE. Nuk çeleshin kurrë negociatat me BE pa ndryshuar gjërat në Shqipëri. Janë me dhjetëra njerëz në Tiranë dhe Bruksel që punojnë në çdo ditë të javës me saktësi kirurgjikale. Ai dokument themelor për negociata i rreshton të gjitha arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë drejt një faze të re. Është fakt i mbështetur në të dhëna objektive. Shqipëria s’ka qenë kurrë më afër se BE se s’ka qenë më parë shtet demokratik europian se sa sot. Korrupsioni nuk është mbrapsur aty ku mund të jetë si kërcënim.
Nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar punën, nuk jam mburoja e askujt me të cilët kam punuar dje apo punoj sot. Vija mes funksionit tim dhe drejtësisë është e kuqe. E pakapërcyeshme. Ata që nuk janë këtu sepse zgjodhën të bënin një rrugë e dy punë, po jua them edhe ju, mos ngatërroni punën e përbashkët me asnjë dërrasë të kalbur ku mund të shkelni. Nuk jam unë dhe PS kur i dridhet toka nën këmbë, Është ai që na ka lëshuar mua dhe PS. Kur thonë Ram i hedh pasi i shtrydh si limona…nuk janë limona që i shtrydh unë por mollë të kalbura që bien vetë.
Kurrë nuk mungon mbështetja ime për të bërë detyrën në plotësi, por nuk ka pasur kurrë mëdyshje për t’ia lënë në dorë drejtësisë çdo rasti të hapur nga SPAK. Dikur kreu i Tatimeve drejtonte agjencinë më të rëndësishme të vendit, nga kuzhina në arrest shtëpie dhe kryeministri predikonte prezumimin e pafajësisë duke iu bërë mburojë para drejtësisë. Dikur kapej burri i botës me qindra mijëra presh në botë dhe presioni politik e bënte drejtësinë të bënte popullin për budalla. Partitë e kohës së dikureve, janë sot në hapësirën e pushtetit politik sa majë pallatit sa majë skelave prej hekurit duke lëshuar në sabah e aksham thirrje histerike kundër SPAK dhe korrupsionit. Por sot çdo dikush para ligjit nuk është më shumë se një qytetar.
Si e parashikon Kushtetuta. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Ka disa që thonë që unë nuk e kam menduar se do vinte kjo ditë kur i hyra detit në këmbë dhe reforma na qenka diktuar nga ambasadorët. Mund të mos jem shumë i zgjuar por edhe kaq sa të shkoja derë më derë në Berlin e Bruksel për të kërkuar aleancë për vetingun, të cilin në ato fillime as atje nuk e pranon se e cilësonin si shkelje e të drejtave të fituara, pastaj në Uashington. Le të hapin kartat, Byroja Kombëtare e Hetimit ishte në programin tonë që në 2009. Ishim ne që i bindëm ambasadën për domosdoshmërinë e kësaj që donim të bënim.
Kush thotë se e kontrolloj unë SPAK-un, se prova është gjë e madhe, ka një problem edhe më të madh, se nuk ka se si ta pranoj dhe as ta tolerojë mendërisht se unë në politikë kam hyrë për të rrëzuar gjithçka që mundem. Ku të mundem, sa të mundem. Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhën e atyre që bëhen kryetarë bashkie apo ministra dhe kryetarë partish. Në rastin më të mirë ikin nuk lënë gjurmë, dhe në rastin më të keq, i keni live, në çdo sabah, bëhen lajm për të ardhur keq.
Shumica në këtë familje politike duhet të bëjnë punën e tyre me aq sa munden. Disa këtu i lënë fëmijët në gjumë dhe i gjejnë në gjumë, madje edhe nëna. Ndërkohë disa të tjerë flenë mbi dyshekët e puplave të korrupsionit. Nuk iu vë fajin për asgjë nga këto ditë natë se po të ishin në vendin tim do të bënin gjërat që bëj dhe na akuzojnë ne. Dy fjalë për përgjegjësinë morale; në vendet e zhvilluara ndodh që titullarët dorëhiqen edhe kur nuk janë përgjegjës.
Morali; kush e ka radhën për t’u dorëhequr. Zyrtarët e lartë janë të gjithë sistemi ekzekutiv që ne drejtojmë. Kërkesat e një minorance ulëritëse për koka turku janë pa themel moral dhe themel logjik në funksion të luftës kundër korrupsionit, që nuk bën hapa para por pas. /ZOOM.AL/