zoom

Lajme

Rama flet si kryebashkiak: Vëmendja ime për Tiranën do të jetë e pandërprerë

Edi Rama tregoi këtë të enjte se që pas arrestimit të Erion Veliajt, kryebashkiaku “de facto” i Tiranës është ai vetë.

Veç takimit që organizoi me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Rama pohoi gjatë fjalës së tij se ai do të ketë vëmendje maksimale ndaj punëve të bashkisë.

“Që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë. Siç është Tirana europiane për të gjithë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të luftojmë. Këto dhimbje janë të padrejta, por nuk duhet të lëkundemi, përndryshe asgjë nuk ndryshon, ose ndryshon për keq, degradon, kalbet, siç u kalb Tirana. Kur në vitin 2000, unë hyra në Bashki dhe kishte vetëm 78 llamba neoni që ndizeshin nëpër Tiranë. Përfytyrojeni ju më të rinjtë dhe ata që jetojnë sot ku e ku me atë që jetonin dje. 78 llamba neoni fiks, asnjë më shumë. Nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike, Tirana dukej natën si një varrezë-qytet.

Që ta mbyll këtë parantezë, nuk më takon mua që Lali Eri është i pafajshëm ose fajtor. Pavarësish se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që të qëndroj në opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë ta zgjidhë këtë. Barra juaj është që makineria e Bashkisë së Tiranës mos të fiket në asnjë minutë. Vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë do të jetë e pandërprerë”, tha Edi Rama.

Pas arrestimit të Erion Veliajt, kreu i socialistëve pranoi se gjatë kësaj periudhe, ai do të bashkërendojë punët në bashki me nënkryetarët.

Postime të lidhura