zoom

Aktualitet

Rama flet për Ndragheta-n: Antimafia nuk gjeti asnjë lidhje me mua

“Nuk i kam takuar këta njerëz dhe nuk funksionon kështu. Prokuroria italiane zbuloi se ata nuk kishin aktivitet në Shqipëri.” Kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama akuzave se ai është i lidhur me organizatën mafioze Ndragheta. Në disa përgjime që kanë bërë zhurmë në Shqipëri e Itali, anëtarë të organizatës flasin për miq të lidhur me kryeministrin e Shqipërisë dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Për t’i hedhur poshtë këto akuza, Rama lexoi një paragraf, që sipas tij është nxjerrë nga konkluzionet e hetimeve të antimafias italiane. Dokumenti nuk u shpërnda për mediat, por kryeministri preferoi ta lexonte disa herë në konferëncën e përjavshmë për shtyp me gazetarët.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt do të të zhgënjej sepse nuk do them për këtë duhet të flasë drejtësia, pasi në këtë rast ka folur qartësisht, duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian dhe po ju lexoj konkluzionin, për t’ju thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju që keni detyrën të informoni publikun, ndërkohë thjesht ushqeni tymnajën me llafe, muhabete, dëngla njerëzish, të cilët, sipas prokurorisë italiane, jo sipas meje, në konkluzion, në praktikë citoj prokurorinë italiane: “Pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjetrin për investime që do të bëhen në Shqipëri, ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018, investimi në Shqipëri, sipas bilanceve të publikuara në QKB, ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe ka humbur në funt të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja. Ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”.

Ky është citim nga konkluzionet e prokurorisë italiane dhe marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët netëve të gjata të mejhaneve televizive dhe ditëve të gjata kërkesës për klikime dhe për spektakël është turp. Është një turp që i mishëron më së miri ata, të cilët e ushqejnë këtë lloj qasjeje, që janë të njëjtët dhe që prirjen për t’ia bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet, sa herë kur u jepet mundësia, edhe kur nuk ka asnjë mundësi në fakt, sepse kjo është një marrëzi e pashoqe me asgjë tjetër. Flasin ca italianë, përmendin njerëz, imagjinojnë investime, parafytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar. Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë provë, nuk ka asgjë dhe këtu ngrihet një tym, mirë e the, një tymnajë që është e neveritshme dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë, por, meqë më pyetët, e lexova konkluzionin e prokurorisë italiane, merrini të gjitha ato mijëra faqe, pijani lëngun dhe nxirrini prapë e villni nëpër ekrane e nëpër portale, për t’i bërë shqiptarët që t’ju vijë për të vjellë. Ky është dhe qëllimi në fakt, për fat të keq. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave, nuk e imagjinoj dot në një vend normal, në një vend ku çdo njeri ka një mikrofon dhe ka një fytyrë në shërbim të publikut, të marrë kohë nga koha e njerëzve për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kutërbuese, budallëku dhe poshtërsie. Unë kështu e shoh këtë punë.

Ndërkohë që çfarë pret të të them unë? Të them që as nuk e di se kush janë këta njerëz, as nuk kam takuar ndonjëherë njerëz të tillë? Është e kotë. Të të them që nuk funksionon kështu me mua, nuk funksionon kështu me ne, prapë është e kotë. Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë dhe ju nuk keni pse bëheni pjesë e këtij turpi, sipas meje. Është një mënyrë më e ulët, sa nuk ka, për të kërkuar avantazhe të natyrave të ndryshme në mexhlis, që janë politike, që janë influence, që janë ku di unë se çfarë, duke ia bërë nënë këtij vendi faktikisht, përsëri, si gjithmonë në fakt, kur në vend se të bëhet informacion, bëhet disinformacion. Në vend se të bëhet debat mbi faktet, bëhet luftë se kush e shtrembëron më shumë të vërtetën. Nuk kam çfarë të të them.

 

Postime të lidhura