Aplikacion
Projekti është prezantuar në Tiranë verën e kaluar nga Dritan Abazoviç, por që të dy kryeministrat thanë se për projektin kishin gjetur dakordësinë e mënjëhershme.
“Jam shumë i lumtur për këtë projekt dhe kjo është diçka për të cilën folëm në Tiranë verën e kaluar. Tani jemi shumë afër fillimit të realizimit të kësaj ideje. Mali i Zi ka ndarë një pjesë të buxhetit të këtij viti vetëm për ndërtimin e kësaj ure. Ne do të nënshkruajmë një Memorandum Bashkëpunimi në të cilin do të specifikohen detyrimet e të dyja palëve”, deklaroi Abazoviç.
“Kjo jo vetëm do të reduktonte distancën midis qyteteve dhe vendeve, por do të pasuronte edhe ofertën turistike të atyre zonave. I afrojmë qytetarët, forcojmë ekonominë! Qëllimi është zhvillimi i vendit nga veriu deri në det!”, shkroi kryeministri malazez në Twitter.
Edhe kryeministri Edi Rama e ka konsideruar këtë si një projekt fantastik, teksa tha se ndërtimi i kësaj ure do të mundësonte një komunikim shumë më të mirë mes dy vendeve.
“Duhet të krijojmë një marrëveshje dhe të kuptojmë buxhetin total të njëri-tjetrit për këtë investim. Ne jemi pro dhe projekti është fantastik. Ura do të mundësonte një komunikim shumë më të mirë mes dy vendeve”, tha Rama.
Detajet financiare, teknike dhe afatet e punimeve i shpjegoi kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar 73 herë midis 2 vendeve. Ura do jetë 380 m me 3 harqe, është e kategorisë C1 do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë 2 korsi dhe pjesë të vendpushimeve, ura ka një lartësi që lejon kalimin nën të në rastin kur Lumi Bunë do të jetë i hapur për mjetet lundruese, jemi në fazën e përgatitjes. Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muaj, do kushtojë 9 mln euro”, tha kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli./ Zoom.al