Aplikacion
Dy goditje të SPAK, arrestimi i kryetarit të bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe i ish –zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda, u komentuan në publik si luftë brenda llojit dhe pjesë e një shoë politik të Edi Ramës që kërkon t’u tregojë ndërkombëtarëve të kundërtën e asaj që ata kanë parë në dy mandatet e para.
Komentatorë pranë të majtës shkruajtën se në mandatin e trëtë Rama ka aleat vetëm drejtësinë, një tezë gati e pabesueshme kjo, duke parë që raportet ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit shkruajnë se korrupsioni është i përhapur në çdo degë të qeverisjes. Nëse Rama do të ketë aleat vetëm drejtësinë, drejtësia nuk nis me mandatin e tretë dhe Ramës i duhet të vërë përballë vetes thuajse të gjithë bashkëpunëtorët, çka nuk lë hapësirë për iluzione.
Ashtu si në mandatin e dytë, ka pak gjasë që prangat të kërcasin kundër të korruptuarve besnikë të partisë apo atyre që mund ta mbajnë “peng” kryeministrin, siç u përfol hapur në media e publik në rastin e ish –ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nëse do të ndodhë, me shumë gjasë do të sakrifikohen ata që mendohen si të panevojshëm për partinë.
Në mandatin e parë shumica e personave të goditur për korrupsion ishin pjesë e LSI që ishte shndërruar në gypin shkarkues të qeverisë.
Mandati i tretë mund të hapë dosje të vjetra, por pa u goditur korrupsioni në 8 vjet qeverisje, besimi se drejtësia po vepron, do të bjerë edhe më shumë.
Hesapet me korrupsionin kanë nisur të shkaktojnë tension brenda PS-së që tani.
Deputeti Petro Koçi, kryetar i PS në Fier, bëri një deklaratë të fortë këtë javë, teksa tha se në bashkinë e Fierit, që drejtohet nga socialisti Armando Subashi, tenderat publikë po i marrin trafikantët dhe kriminelët.
Ai e artikuloi të njëjtën akuzë në intervista të veçanta në disa televizione të ndryshëm. Se sa qëndrojnë akuzat e tij dhe cili është interesi i të bërit publik të këtyre akuzave, do të duhet të presim. Vetë Petro Koçi ftoi SPAK të hetojë.
Dhe thirrja drejtuar SPAK nuk është mirëpritur në PS-në e Fierit. Një reagim i parë ka ardhur nga nënkryetari i Rajonit 2, Fatjon Elezaj, në një postim në Facebook.
“Ju zoti deputet i zgjedhur nuk mund të flisni në emër të PS Fier, por të njesive të cilat ju mbuloni si deputet pasi ju Fierin e braktisët sapo doli lista e kandidatëve për deputet. Morët njësitë tuaja dhe as nuk u kujtuat se ishit kryetar i emëruar i PS… Ju po vazhdoni të tentoni të përçani Partinë Socialiste Fier duke shkruar nëpër rrjetet sociale…
Ne Socialistet jemi të sigurt se Partia Socialiste është partia e së drejtës dhe e vetmja forcë politike që bën shtet dhe Drejtësi. Ne e mirëpresim drejtësinë mbi këdo që ka abuzuar në çdo qytet të Shqipërisë dhe në Fier, por kurrë nuk i përçajmë radhët tona duke ngritur akuza të pabaza ose akuza për të cilat ne nuk jemi të sigurt.
Ju zoti kandidat brenda 3 ditëve keni reagime të ndryshme të cilat na habisin dhe neve.
Me këtë që keni bërë ju zoti deputet i zgjedhur keni treguar se interesat tuaja personale janë më të mëdha se qyteti ynë”, shkruan Elezaj që në postimin e tij vlerëson shumë angazhimin e kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashin.
Hesapet me drejtësinë janë realisht ajo çfarë presin shqiptarët e ndershëm. Edhe nëse do të vijnë për shkaqe dhe inate personale, edhe nëse do të lindin nga ndarja e padrejtë e tortës së korrupsionit apo edhe si luftë brenda llojit që do të hajë kokat e vetë socialistëve, ata do t’i shërbejnë drejpërdrejtë interesit të publikut, pasi do të çojnë pas hekurave disa të korruptuar dhe do të tregojnë kalbëzimin që ka pësuar nga brenda pushteti i Ramës që në dy mandatet e para.
Situatës i shkon fatkeqësisht shprehja që Edi Rama përdori dikur për përplasjet e përgjakshme mes bandave kriminale: “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”! /Zoom.al
.