zoom

Bota

Raciste? Zhvendoset nga New York-u statuja ikonë e presidentit Roosevelt

Nga viti 1940, statuja e ish-presidentit amerikan Theodore Roosevelt ndodhej në hyrjen e Muzeut të Historisë Natyrore të New York-ut. Mbi kalë, me një indian të Amerikës dhe një afroamerikan të zbathur, me shumë mundësi mishërimi i skllavërisë në vend.


Por vizitorët e muzeut, i njohur botërisht jo vetëm për shumëllojshmërinë e specieve që mban por edhe pas realizimit të filmit komik “A night at the museum”, nga sot nuk do të kenë mundësi ta shohin, sepse u hoq si rezultat i valës së përqafuar nga lëvizja Black Lives Matter, dhe që synon shkatërrimin ose zhvendosjen nga ambientet publike të gjithë statujave ose emrave që lidhen me të kaluarën raciste të vendit.

Zhvendosja e statujës u vendos nga vetë bordi i muzeut, pas një presioni të fortë publik, ndërkohë që destinacioni i radhës së saj do të jetë në ambientet e librarisë presidenciale e dedikuar Roosvevelt, në Dakotën e Veriut.

Theodore Roosevelt ka qenë president i 26-të amerikan, duke ushtruar funksionin nga viti 1901 deri në1909, dhe ndër të tjerët ka marrë dhe Çmimin Nobel për Paqen, për rolin e tij ndërmjetësues në konfliktin midis Rusisë dhe Japonisë.

Në 2006, filmi “A night at the museum” që zhvillohet pikërisht në ambientet e muzeut me aktorë si Robin Williams dhe Ben Stiller, e shtoi edhe më shumë famën e muzeut të ndërtuar në 1869.