zoom

In Zoom

Rabini që priti me nderime Edi Rama, i dënuar për korrupsion në Izrael

Kryeministri Edi Rama ka një talent të rrallë: ai arrin të shfaqet gjithmonë si një mikpritës i përulur për njerëz me histori të dyshimta e me probleme me ligjin.

Dje, Rama priti me nderime Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto në zyrën e tij, një personazh që në Izrael ka qenë i dënuar për korrupsion.

Në postimin e tij pas takimit, kryeministri e quajti këtë vizitë “një privilegj”, duke nënvizuar vlerat e tolerancës fetare në Shqipëri dhe duke promovuar një projekt për ndërtimin e një muzeu hebraik në Vlorë.

Rabini Pinto nuk është i panjohur. Në vitin 2015, ai u dënua me një vit burg për përpjekje për të korruptuar një zyrtar të lartë policor dhe për pastrim parash. Në Shqipëri, megjithatë, ai gjen jo vetëm mikëpritje me krahëhapur, por edhe një kryeministër që ta përshkruajë atë si një lider shpirtëror i denjë për të vizituar qytetin historik të Vlorës dhe për të dhënë bekime për muze të rinj.

Por mos u shqetësoni, ky nuk është një rast i izoluar. Kryeministri shqiptar duket se ka një radar të veçantë për të tërhequr në zyrën e tij njerëz që në vendet e tyre konsiderohen më shumë si problem sesa si zgjidhje dhe ka ndërtuar një traditë të lavdërueshme në mikpritjen e personazheve kontrovers. Në zyrën e tij kanë hyrë zyrtarë e politikanë të korruptuar e njerëz të lidhur me trafiqe të drogës.

Toleranca fetare është një vlerë e lavdërueshme dhe historia e Shqipërisë me mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një krenari kombëtare. Por kur kjo përdoret si një perde për të mos diskutuar rreth integritetit të miqve që zgjidhen për t’u nderuar, gjërat bëhen shqetësuese.

A po shndërrohet Shqipëria në një skenë teatrale, ku të gjithë të korruptuarit vijnë për të marrë nderime nën lavdet dhe gjestet e hijshme të kryeministrit tonë?

Në fund të fundit, duket sikur Edi Rama nuk ka ndonjë problem me korrupsionin — përkundrazi, ai duket se e sheh atë si një atribut interesant të mysafirëve të tij.

Ndoshta është koha që të ndërtojmë një muze tjetër në Shqipëri: një muze për të korruptuarit e botës, ku çdo vizitor i tillë mund të vendosë një copë nga trashëgimia e tij problematike. Dhe padyshim, kryeministri do të ishte i pari që do të priste me përulësi shiritin e inaugurimit. /Zoom.al