zoom

Aktualitet

Qytetarët paguajnë 29 euro/ton për trajtimin e mbetjeve, Tirana vazhdon të mbulohet nga plehrat

Prej afro një muaji, situata në disa prej lagjeve kryesore të Tiranës paraqitet problematike; kosha të tejmbushur nga mbeturinat, që pastrohen vetëm një herë në ditë ose lihen të pazbrazur për ditë me radhë.

Vazhdimisht qytetarë, gazetarë, aktivistë, por edhe vetë politikanë të së majtës kanë denoncuar gjendjen shqetësuese të plehrave në kryeqytet, ku rrezikohet përhapja e vatrave të infeksioneve.

Situata alarmante, me mbeturina të hapura kudo nëpër rrugë dhe kosha që kundërmojnë erë ka përfshirë zona si Radio Tirana në hyrje të rrugës “Kont Urani”, Rrugën e Kavajës, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Astirin, Zonën e Frekut, “Rruga Urën”, por edhe zonat më të frekuentuara nga banorët e Tiranës dhe turistët, si Blloku dhe Komuna e Parisit.

Pas denoncimeve të njëpasnjëshme, kryebashkiaku Erion Veliaj reagoi më 7 shtator duke deklaruar se kompanitë private e kanë ndërprerë punën dy muaj para mbarimit të kontratës së shërbimit.

Qyteti i Tiranës është i ndarë në 7 zona pastrimi (3 zona lindore, 3 perëndimore dhe Zona e Kuqe në qendër të Tiranës), ku operojnë operatorë privatë me kontrata sipërmarrjeje. Në dhjetor të vitit 2016, në “Zonën e Kuqe” nisi të operojë edhe shoqëria “Eco Tirana”.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar të shpenzojë 2.9 miliardë lekë (29 milionë euro) për menaxhimin e mbetjeve urbane në 2024, 47% më e lartë se viti 2020. Në programin e menaxhimit të mbetjeve përfshihen pagat për sektorin e pastrimit të qytetit, mbledhja, transportimi dhe depozitimi i mbetjeve.

Ky shërbim deri më shtator ofrohej nga tre kompani private dhe Eco Tirana.

Referuar kontratave, në harkun kohor të një viti, tre kompanitë private kanë përfituar një fond pre 1.5 mld lekësh për pastrimin e Tiranës.

Bashkëpunimi me Eco Tirana

Pas situatës së krijuar, vetë Bashkia e Tiranës mori përsipër të pastronte qytetin nëpërmjet kompanisë “Eco Tirana”, ku 51 përqind të aksioneve i ka vetë bashkia, ndërsa 49 për qind një kompani italiane, e cila ka ndërruar disa pronarë në pak muaj e nuk dihet se kush fshihet pas tyre.

Krijuar si një bashkëpunim midis Bashkisë së Tiranës dhe një kompanie italiane për të ofruar shërbime në fushën e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane, Eco Tirana duhet të zbrazë 6396 kosha mbetjesh në ditë.

Po ashtu, kompania duhet të lajë dhe dezinfektojë 500 vendqëndrime të koshave, ndërsa vijon detyrimi kontraktual që kjo kompani duhet të fshijë 1.9 milionë metra katrorë rrugë dhe të lajë 285 mijë metra katrorë sipërfaqe të rrugëve kryesore në ditë.

Dikur promovues dhe mbështetës i projekteve dhe nismave të “Eco Tirana”, Erion Veliaj, si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka një rol të drejtpërdrejtë në mbikëqyrjen e funksionimit të kësaj ndërmarrjeje, pasi ajo është nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës.

Por kush u vendos përballë përgjegjësisë kur kompanitë bashkëpunuese të bashkisë shkelën kontratën për trajtimin e mbeturinave?

Çfarë po bën akoma Bashkia e Tiranës? Po Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Tiranë pse nuk reagon?

Kush do të mbajë përgjegjësi për miliona lekë që qytetarët paguajnë për këtë shërbim?

Bashkia Tiranë vijon të paguajë 29 euro/ton për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe 16.700.000 euro (referuar PBA 2024-2026) për pastrimin e rrugëve dhe mbledhjen e mbetjeve, të cilat nga viti 2024 i paguhen një tjetër firmës ECO TIRANA.

Sipas të dhënave të studimit të IFC dhe të dhënave ndër vite, Bashkia Tiranë trajton jo më shumë se 250.000 ton mbetje në vit. Mbështetur në këtë shifër, kostoja e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve do të ishte 66.8 euro/ton me TVSH, duke e çuar koston e trajtimit të mbetjeve për të gjithë zinxhirin nga 38 euro/ton, në 101.6 euro/ton me tvsh.

Këto para vazhdojnë të xhirohen pa ndërprerje, ndërsa pastrimi i koshave në qytet nuk bëhet dhe Tirana po qelbet erë.

Pastrim vetë në ditë të shënuara

Punën që duhet të bëjë çdo ditë, Bashkia e Tiranës e shfaq si propagandë në një datë të caktuar.

Dy ditë më parë, kur ishte Dita Botërore e Pastrimit, Erion Veliaj mblodhi punonjësit e pastrimit për të bërë xixë Tiranën

“Në Ditën Botërore të Pastrimit, njësitë administrative dhe Ndërmarrja e Pastrimit u angazhuan për të bërë Tiranën xixë. Faleminderit që sot u bëtë pjesë e kësaj nisme. Ky është shembull i asaj që mund të bëjmë bashkë, kur punojmë për një qëllim të përbashkët: një Tiranë më të gjelbër dhe më të pastër”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale.

Por, qytetarët, që prej ditësh kanë bashkëjetuar me mbeturinat, i kujtojnë kryebashkiakut këtë fakt, duke kërkuar prej tij të mos bëjë show vetëm një ditë, por të punojë për Tiranën e pastër çdo ditë./ Zoom.al