zoom

Aktualitet

Qytetarët “masakrojnë” ONE në komente: Kompani skandaloze, nuk keni valë. Kur do të reagojë AKEP?

Kompania telefonike “One Albania” ngelet në shënjestër të klientëve të saj.

Që kur “One” u bë një me “Albtelecom”, në komentet në rrjetet sociale ndeshesh vetëm me ankesave të qytetarëve, të cilët herë mbahen peng nga kompania, e herë janë të irrituar nga shërbimi skandaloz që ofrohet.

Shqetësimi kryesor i qytetarëve ngelet problemi me valët telefonike.

“U bënë pesë ditë pa sinjal telefoni. Nuk e di çfarë problemi keni, por ju jeni firmë që nuk përmbushni produktet që ju servirni shqiptarëve. Nuk e di çfarë kriteresh përmbushët kur bletë “Albtelekom” se ju jeni firmë e papërgjegjshme e skandaloze në shërbim. Nëse nuk zgjidhni problemin, do zgjidhim kontratën pasi ju jeni firmë piramidale”, shkruan një prej tyre.

“Çfarë ofertash keni se gjysmën e kohës numri nuk ka valë dhe po vazhdoi kështu do të ndryshoj kompani. Ofertat janë shumë të shtrenjta”, është një tjetër koment.

Klientët ankohen edhe sepse “ONE” në mënyrë të vazhdueshme i mbifaturon ose i kthen ata në debitorë, edhe pas kërkesës për të mbyllur kontratën.

“Jam shumë i pakënaqur nga One.al. Kam qenë me kontrat një vjeçare, gusht më gusht.
Procedurat për mbylljen e kontratës i kam filluar që në muajin maj me kërkesë për mbyllje. 500 leke i kam paguar për mbylljen e kontratës. Kam tre muaj në Greqi e po tarifohem akoma”, shkruan një prej tyre.

“Jam shumë e pakënaqur ndaj kompanisë tuaj. Kam dy raste të familjes time, dy numra me kontratë të cilave ju kam bërë kërkesë për mbyllje për arsye emigrimi se personat e mi që I kishin në përdorim këto numra u larguan me punë jashtë shtetit dhe nuk i përdorin më këto numra. Ata janë duke u tarifuar akoma. Si ka mundësi, ju lutem, dua një përgjigje”, ankohet një tjetër.

“Ju lutem kemi bërë një kontrat me ju me vlerë 190 lekë që në muajin korik, por fatura na vjen me 230 përsëri”, shprehet një qytetar.

“Po po, por pagova 32 mijë lekë për roaming mbifaturim… Kur oferta mbaron i bie s’punon neti… Për çudi me ju vazhdonte punonte … Pra, s’ka rëndësi sa shkon çmimi … çka është për t’u marr, do ju merret”, ankohet një klient tjetër.

“Moj lërini reklamat! Përgjigjuni abonentëve me kontratat që kanë bërë për një vit me 10 mijë të vjetra e i shtoni faturat me 12, 13 mijë të vjetra e na thoni që jeni debitorë duke bërë pagesën muaj për muaj. Nuk më kënaqni si kompani pffffffff…..”, është rasti i një tjetër klienti.

Qytetarët janë të shqetësuar edhe për paketat e shtrenjta që paguajnë.

“Të ulen çmimet e paketa dhe ofroni promocion në paketa jo me kontratë, por me parapagesë”, shprehet një klient.

“Rregulloni tarifat brenda vendit se po na detyroni të ndërrojmë kompani”, është një tjetër koment.

Heshtja e AKEP

Pavarësisht denoncimeve të shumta në media (Zoom.al ka shkruar disa herë për problemet e “One”, shqetësimeve të pafund të abonentëve dhe të ekspertëve të komunikimit, Autoriteti i Komunikimeve Eklektronike dhe Postare nuk ndërhyn për të zgjidhur situatën.

Ankesat janë të përditshme, por AKEP është mjaftuar vetëm me një deklaratë të bërë në datën 24 gusht. Zgjidhje nuk dha, pasi situata vazhdon njësoj.

Deputetja demokrate Albana Vokshi reagoi pas deklaratës së AKEP dy muaj më parë, duke vënë në dukje se nuk po e kryen punën për të mbrojtur klientët.

“AKEP ka bërë në datë 25 gusht, një deklaratë publike të thatë, thjesht sa për “të larë gojën”, në lidhje me pengesat dhe konfuzionin e shërbimeve që ofron kompania celulare ONE. Problemet e abonentëve nuk kanë nisur as dje e as sot, kanë që nga muaji dhjetor 2022, që po torturojnë qytetarët dhe subjektet, të cilët të mbetur pa shërbim denoncojnë cdo ditë.

AKEP, si rregullator në tregun e komunikimeve elektronike, ka futur kokën si struci dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që i jep si detyrim legjislacioni, që t’i dalë në mbështetje qytetarëve, duke ndërhyrë me instrumenta ligjore në ndaljen e kaosit të paprecedent që ka krijuar prej më shumë se 8 muaj një sipermarrës i licencuar nga AKEP.

Po ta shikosh deklaratën e fundit të AKEP, dallon evazivitetin, si dhe përdorjen e një narrative të përgjithshme, e cila jo vetëm nuk merr në mbrojtje qindra mijë pajtimtarët që kanë një shërbim të cunguar, ose jane pa shërbim fare, për të cilin ata edhe kanë paguar.

Deklarata e AKEP shkon dhe në cinizëm, duke i ftuar pajtimtarët të shkojnë vetë në gjykatë, në vend që si institucion rregullator të ndërhynte menjëherë për zbatimin e ligjit, në kthimin ne normalitet të shërbimeve që ka premtuar në marrjen e licencës sipermarrësi ONE”, deklaroi Albana Vokshi.

Ndërkohë, pak ditë më parë deputeti socialist Frrok Gjini i ka kërkuar Komisionit Parlamentar të Ekonomisë që të thërrasë kompaninë për të dhënë sqarime mbi ankesat e shumta që kanë klientët prej disa kohësh me këtë operator. Ai tha në parlament se qytetarët po vidhen.

Gjini nuk është deputeti i parë që ka bërë publike abuzimet nga kompania One Albania. Pak kohë më parë Erjon Braçe u ankua për tarifimin e shërbimeve që ai nuk kishte marrë nga One./ Zoom.al