zoom

Bota

Qindra të vdekur nga përleshjet në Siri/ OKB e shqetësuar: Po vriten gra e fëmijë

Prej tre ditësh, në Siri kanë shpërthyer përleshjet mes forcave siriane të sigurisë dhe luftëtarëve besnikë ndaj ish-regjimit të Assad-it.

Si pasojë, raportet tregojnë se më shumë se 1 mijë njerëz janë vrarë, mes të cilëve, rreth 800 janë civilë.

Me shqetësim, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për vëmendje urgjente në Siri dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën.

“Ne po marrim raporte jashtëzakonisht shqetësuese për familje të tëra, duke përfshirë gra, fëmijë dhe luftëtarë të dorëzuar të vrarë. Vrasja e civilëve duhet të pushojë menjëherë”, tha Komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

Numri i të vrarëve gjatë përleshjeve është ndër më të lartët në vend, që nga fillimi i revolucionit të tij në 2011.

Luftimet filluan të enjten pasi luftëtarët besnikë të regjimit të rrëzuar të Assad-it iu bënë pritë forcave të sigurisë në Jableh, në provincën bregdetare Latakia.

Sulmi i gjerë dhe i koordinuar erdhi tre muaj pasi luftëtarët e opozitës të udhëhequr nga grupi rebel islamist Hayat Tahrir al-Sham rrëzuan presidentin sirian Bashar al-Assad.

Për të shtypur rebelimin, qeveria siriane bëri thirrje për riforcime, me mijëra luftëtarë të mbledhur në brigjet e Sirisë nga i gjithë vendi.

Postime të lidhura