zoom

Bota

Qindra njerëz pa ujë e bukë – Arrihet marrëveshja për ndihmat humanitare në Gaza

Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, duke përfshirë 600,000 njerëz në Gazën veriore, sipas një deklarate nga qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gaza.

Personat e detyruar të largohen nga banesat e tyre, për shkak të sulmeve të pandalura nga Izraeli, iu duhet të përballen me vdekjen jo vetëm nga frika e luftës, por edhe nevojave bazike për të mbijetuar. Autoritetet njoftojnë se popullata civile në ikje po përballet me mungesën e ushqimeve, medikamenteve apo qoftë edhe uji për të pirë.

“Ne kërkojmë që UNRWA të rifillojë operacionet e saj në zonat veriore të Gazës dhe të përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj njerëzve të zhvendosur në strehimoret e saj të caktuara shkollore, thuhet në deklaratë.

Raporti i UNRWA tha se rreth 400,000 njerëz të zhvendosur ishin strehuar në instalimet e UNRWA në Zonën e Mesme, Khan Yunis dhe Rafah. Baza logjistike e organizatës në Rafah ishte duke pritur rreth 8,000 njerëz dhe numrat vazhdojnë të rriten.

Deklarata e lëshuar të mërkurën nga autoritetet në Gaza gjithashtu bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për shpërthimin vdekjeprurës të së martës në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, duke përsëritur pretendimin palestinez, të mohuar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.

Marrëveshje për të lejuar ndihmat

Presidenti i SHBA Joe Biden tha në komentet në Tel Aviv se Izraeli kishte rënë dakord të lejonte ndihmën në Gaza, me mirëkuptimin se do të kishte inspektime për të siguruar që furnizimet të mos devijohen ose vidhen nga Hamasi.

Menjëherë më pas marrëveshjen e konfirmoi edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Në vazhdën e kërkesës së Presidentit Biden, Izraeli nuk do të bllokojë dërgesat e ndihmave humanitare, për sa kohë që ato përfshijnë ujë, ushqim dhe medikamente për popullatën civile në Rripin jugor të Gazës, dhe për sa kohë që ndihmat nuk arrijnë në Hamas”, thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit.

Ndihmat humanitare do të futen përmes kalimit Rafah, për të cilin ka rënë dakord edhe Egjipti që të qëndrojë i hapur për këtë qëllim.