zoom

Aktualitet

Qeveria tërhiqet nga fasha 800KW, Rama: Nuk do të nisë me 1 tetor

Fasha e energjisë elektrike për 800 kilovat/orë nuk do të hyjë në fuqi në muaji Tetor, sikurse ka vendosur ERE.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama në një njoftimin në Facebook-un e tij.

Shkak për këtë shtyrje është bërë kursimi i energjisë nga abonentët familjarë, por edhe reshjet e shiut që kanë përmirësuar situatën hidrike.

“Kursimi i energujisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie. Unë dhe kjo qeveri jemi këtu jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë, por dhe për të mos lënë asgjë pa bërë që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte dhe inflacionit që ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë. Jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që jemi zhvilluar mbrëmë. Në 1 Shtator kur vendosëm fashën, kërkesa për energji nga KESH-i ishte rreth 17 mijë, sot është 11 mijë kilovat/orë. Kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç’është sot dhe në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperatuve dhe rol të rëndësishëm ka fillimi i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Ditët e fundit kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë dhe presim rrjeshje të tjera në fund të 10-ditëshit të parë të Tetorit. Bazuar në këto kushte, ne vendosëm që kalimi i fashës 800 kilovat të mos hyjë në fuqi në muajin Tetor. Ndërkohë të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi javën e kaluar vendosjen e fashës prej 800 kilovat/orë, që do të paguhet me 42 Lekë/kilovati nëse tejkalohet kjo fashë. Ndërkohë që çmimi deri në fashën 800 kilovat do të mbetet i pandryshuar në vlerën 9.5 Lekë/kilovati.