zoom

Ekonomi

Qeveria rrit çmimin e energjisë për furrat e bukës dhe pastiçeritë. Si ndryshojnë tarifat

Tarifat e energjisë elektrike për ato furra buke që ofrojnë edhe shërbimin e pastiçerisë dhe të bar-kafesë në të njëjtin ambient do të rritet.

Për ato furra që shesin vetëm bukë, çmimi mbetet i pandryshuar në 7.6 lekë për kilovatorë.

Ndërsa për ata që pjesë të aktivitetit të tyre, veç prodhimit të bukës, kanë edhe ëmbëlsirat, çmimi që propozohet nga OSHEE dhe Ministria e Energjisë është 9.5 lekë për kilovatorë.

Nga rritja e çmimit preken edhe ato furra buke që pjesë të aktivitetit të tyre kanë edhe bar-kafe, të cilët do të paguajnë një tarifë prej 12 lekësh për kilovatorë.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me përfaqësues aty dhe kemi bërë një lloj tipologjie që besoj dhe me shoqatën e furrave të bukës kemi gjetur dakordësinë”, tha administratori i OSHEE, Enea Karakaçi.

Prej rreth dy vitesh furrat e bukës dhe OSSHE ishin në debat. Bizneset brenda një ambienti ushtronin tre aktivitete, ndërsa çmimi i energjisë faturohej si prodhues buke, çmim i cili është i subvenvcionuar.