zoom

Ekonomi

Qeveria ndërron mendje për llotot, dhe shqiptarët do të marrin licencë: Të përfshihet dhe SPAK

Ligji për bastet online mbetet dhimbje koke për qeverinë Rama. Për herë të tretë ai u rikthye sot në Kuvend, ku përsëri nxiti debat mes socialistëve, të vetmit në komision.

Pa një dokument konkret, kreu i komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi ndërsa tregoi ndryshimet që priten të votohen. Ai tha se një ndër propozimet është edhe licencimi i subjekteve shqiptare, e jo vetëm të huaj, sipas eksperiencës së tyre në këtë sektor.

Për këtë, zv.ministrja e Financave Vasilika Vjero tha se në një subjekt aplikues kërkohet që njëri nga aksionerët të ketë eksperiencë në një vend të huaj për 3 vite dhe ai që do e drejtojë aktivitetin në Shqipëri të ketë të paktën 30% të aksioneve.

Për monitorimin e kësaj industrie, Shalsi tha se do t’i jepet me koncesion një kompanie private. Duke theksuar se është një treg që nuk mund të formalizohet 100% e as 60%, janë parashikuar disa masa, ndër të cilat ajo e ‘mirroring’.

Mirroring apo pasqyrimi do të thotë që çdo veprim i lojtarëve reflektohet në serverin pranë AMLF-së dhe ministrisë së Financave. Po ashtu, Shalsi tregoi se janë menduar disa masa edhe për parandalimin e konflikteve të interesit, si p.sh punonjësit e administratës në dikastërin e lojërave të fatit.

Më tej, zv.ministrja Vjero tha se janë rishikuar edhe disa kritere për llotarinë kombëtare dhe bingot televizive, që nga ulja e moshës nga 21 në 18 vjeç për pjesëmarrje e deri tek masa e fitimit që shpërndahet për fituesit. Ajo sqaroi se 50% e fitimit të llotarisë kombëtare do të rishpërndahet nëpër bileta, nga 60% që ishte më herët, apo 80% për bingot.

Deputeti socialist Erion Braçe kundërshtoi përsëri draftin, duke këmbëngulur për taksim të lojtarëve dhe jo vetëm operatorëve.

“Nga çdo 100 lekë i luajtur ne të marrim 1.5 lekë, e papranueshme. Ne duhet të pranojmë pretendimin e tyre se në 100 lekë, 90 i shpërndajnë për lojtarë? Që ta pranoj duhet të jem i çmendur. Këta bëhen copash duke vrarë njëri-tjetrin për 4.3 lekë në 100 lekë? Duhet të jesh i çmendur ta besosh. Unë kam propozuar ndryshime në taksim. Lojtarët fitues janë pa taksa dhe mbeten pa taksa, nuk shkon të mos paguajnë asnjë lloj tatimi për ata që fiton”, tha deputeti Braçe.

Ai kërkoi edhe miratimin e SPAK për të gjitha masat e parashikuara në projektligj, lidhur me rrezikun e pastrimit të para./Zoom.al