zoom

Ekonomi

Publikohen çmimet mesatare të shitjes së banesave/ Farka dhe Dhërmiu më të shtrenjtat

Në një publikim në Fletoren Zyrtare, qeveria ka publikuar çmimet mesatare të shitjes së banesave në rang vendi.

Lista me çmime publikohet për herë të parë, nga një përllogaritje e vlerave mesatare të shitjeve për çdo zonë kadastrale të Tiranës, 60 bashkive të tjera dhe 23 njësive administrative në shkallë vendi.

Sipas vendimit, përllogaritja dhe publikimi bëhet në kuadër të planit të strehimit, ku Enti Kombëtar i Banesave vlerëson se duhet të blihen banesa apo të ndërtohen banesa sociale në njësitë vendore, si dhe për përcaktimin e kufirit të dhënies se kredive të zbutura nga shteti.

“Çmimet përdoren si nivel reference në rastet, që vendoset të blihen banesa në tregun e lirë. Përdoren për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit, për masën e subvencioneve të interesave të kredisë dhe ndihmon në procedurën e dhënies së kësaj kredie për familje që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuar nga shteti”, sqaroi Enti në një komunikim për revistën “Monitor”.

Sipas zonave, bregdeti i jugut ka çmimet më të shtrenjta, me Dhërmiun që prek 186.400 lekë për metër 2 dhe Tirana me 124.316 lekë për metër katror. Bashkia e Tiranës e ndarë në disa zona kadastrale kalon edhe vlerën e bregdetit.

Në bashkinë Durrës çmimi mesatar i shitjes përllogaritet 71.157 lekë për metër katror. Në bashkinë Vlorë çmimi është përllogaritur 68.680 lekë për metër katror. Në Sarandë 88,050 lekë për metër katror. Në bashkinë Fier çmimi mesatar i shitjes është 55,375 lekë për metër katror.

Në njësitë administrative, si Farkë është përllogaritur çmimi mesatar 157.000 lekë për metër katror, në Dajt 82.280 lekë për metër katror, në Ishëm 93.000 lekë, në Dhërmi 186.400 lekë etj.

Në metodologji përcaktohet se mesatarja e çmimeve të tregut për çdo zonë kadastrale llogaritet si mesatare aritmetike e të gjitha çmimeve për metër katror. Në llogaritjen e çmimit mesatar përjashtohen nga llogaritja çmimet e grupit të dhjetë më të lartë, kur mesatarja e çmimeve të këtij grupi është më e lartë 1.3 herë sesa mesatarja e nëntë grupeve të tjera.

Çmimi mesatar i banesa në Tiranë, 2024

Çmimi mesatar 124.300 lekë/m2

Çmimi më i lartë Liqeni artificial 227 400 lekë/m2

Çmimi më i ulët Njësia 11 (pranë Paskuqanit) 62 500 lekë/m2

Zona më e shtrenjtë në Shqipëri

Njësia Farkë 257 mijë lekë/m2

Çmimi mesatar i banesave në Shqipëri

Tiranë 124 300 lekë/m2

Durrës 71 200 lekë/m2

Vlorë 66 700 lekë/m2

Kamëz 62.500 lekë/m2

Shkodër 62 300 lekë/m2

Elbasan 55 400 lekë/m2

Fier 55 400 lekë/m2

Korçë 59 500 lekë/m2

Berat 52 200 lekë/m2

Kukës 54 000 lekë/m2

Gjirokastër 48 600 lekë/m2

Çmimi i pronave në bregdet

Dhërmi 186 400 lekë/m2

Orikum 61 400 lekë/m2

Velipojë 60 400 lekë/ m2

Golem 56 500 lekë/m2

Shëngjin 49 200 lekë/m2

Postime të lidhura