Aplikacion
“Në të gjitha ambientet janë evidentuar problematika serioze që lidhen me lagështinë. Amortizimi i rrjetit elektrik dhe i sistemeve mekanike është një tjetër problem kompleks i objektit”, thuhet në letrën e firmosur nga drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Dhurata Frashëri.
Frashëri i kërkoi gjithashtu Ministrisë që ta vërë në dijeni mbi “projekte të mundshme të restaurimit” apo procedurën që duhej të ndiqte Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për të filluar “procesin e ndërhyrjeve”.
Por ndonëse ndërhyrjet nuk u kryen përgjatë një viti, letra e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare shërbeu si katalizator për përgatitjen e një plani të ri menaxhimi, që i hap rrugën qeverisë shqiptare për dhënien e Pallatit Presidencial me koncesion.
Pallati Presidencial, i njohur edhe si Pallati i Brigadave, u projektua nga arkitekti italian Gulio Berte dhe më pas u përfundua nga Gherardo Bosio në vitet 1939- 1941. Godina ishte e destinuar për familjen e mbretit Zog, por përfundoi në vitin 1941; thuajse dy vjet pas largimit të tij nga Shqipëria.
Kompleksi mori emrin “Pallati i Brigadave” gjatë regjimit komunist, ndërsa prej vitit 1992 njihet si Pallati Presidencial dhe shërben për pritjet zyrtare. Ai gëzon statusin e mbrojtjes si “Ansambël Historik”.
BIRN e siguroi planin e integruar të menaxhimit të Pallatit Presidencial dhe korrespondencën mes institucioneve përmes një kërkese për të drejtë informimi. Dokumentet tregojnë se pas letrës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Ministria e Kulturës i kërkoi Universitetit Politeknik të Tiranës hartimin e një plani të integruar menaxhimi.
Një grup teknik i përbërë nga arkitektë, skulptorë dhe biologë pranë Universitetit Politeknik e përfundoi planin e integruar të menaxhimit të Pallatit Presidencial brenda tre muajsh me kosto të llogaritur në 3.6 miliardë lekë ose 30 milionë euro.
Përveç rehabilitimit të godinave ekzistuese dhe parqeve, plani i ri parashikon ndërtimin e një parkingu për vizitorët, një restoranti, kthimin e njërës prej godinave ekzistuese në hotel akomodues për delegacionet e huaja si dhe ndërtimin e ambienteve çlodhëse për vizitorët. Plani parashikon gjithashtu laboratorë restaurimi dhe kurimin e bimëve të rralla.
Sipas grupit teknik hartues, modeli i partneritetit privat në këtë rast do të ishte më efikas krahasuar me format e menaxhimit me fondacione të posaçme, që u përdor në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, apo struktura menaxhimi shtet-privat.
“Me një periudhë maksimale të partneritetit të parashikuar në ligj (Neni 186, Pika 5) prej 20 vitesh, pala e interesuar për partneritet, duhet të ketë financimin e duhur për të mundësuar rijetëzimin. Gjithashtu duhet të ketë përvojën e duhur për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, të parashikojë kufizimet e mundshme në nxjerrjen e të ardhurave, të cilat mund të mos sjellin fitime për të”, thuhet në dokument.
Sipas planit të menaxhimit, përfitimet e koncensionarit do të jenë shërbimi i hotelerisë, shitja e biletave për turizëm apo ngritja e qendrave studimore brenda ansamblit.
Ndërsa shteti pritet gjithashtu të ketë një rol mbikëqyrës të përdorimit të ansamblit me ngritjen e një bordi, “i cili kontrollon dhe garanton ruajtjen e vlerave të monumentit si dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara si për ato shtetërore edhe për vizitorët”.
Kthimi i kësaj zone në pikë turistike nuk do t’i heqë karakterin protokollar dhe do të vijojë të jetë vend ekskluziv për ceremonitë shtetërore dhe i ruajtur nga Garda e Republikës.
Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi planin e integruar të menaxhimit për Pallatin e Brigadave, por projekti kundërshtohet nga deputetë të opozitës dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa i tha BIRN se pas këtij plani fshihet interesa klienteliste.
“Mendoj se ka interesa klienteliste që lidhen jo shumë me Pallatin e Brigadave si pallat, por me gjithë parkun, që është pjesë e zonës historike dhe të mbrojtur. Plani niste pikërisht me rrethimin dhe delimitimin e zonës, ndërkohë që zona është e përcaktuar në ligj”, tha Zhupa, duke shtuar se interesat për të ndërtuar në këtë zonë “janë të larta”.
“Shteti duhet të jetë përgjegjës i trashëgimisë kulturore sipas konventës së Parisit dhe ky tjetërsimin i detyrave është antikushtetues dhe jo në shërbim të së mirës publike”, shtoi Zhupa.
Edhe për arkeologun Apollon Baçe, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, ky plan përbën një rrezik për ansamblin. Baçe kujtoi gjithashtu se një projekt i qeverisë italiane, që ishte ofruar ta restauronte falas Pallatin, ishte lënë në harresë.
“Ky është skandali i radhës, këta çdo gjë po e japin me PPP,” tha Baçe.
“Nuk mund të jepen me koncesion pasuritë e tilla me vlera të mëdha historike e kulturore”, shtoi Baçe, ndërsa theksoi se ansambli mund të hapej për publikun pa qenë nevoja që të përdorej për biznes nga privati.
Mediat: Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë armët amerikane për të sulmuar brenda Rusisë