zoom

In Zoom

Qeveria e luksit në Shqipërinë e varfër

Në një vend si Shqipëria, ku varfëria mbetet një plagë e hapur për dhjetra mijëra familje, jeta e luksit e disa zyrtarëve të lartë përbën jo vetëm kontrast sa të vret sytë, por po krijon gjithnjë e më shumë polemika.

Polemikat shpërthyen dy ditë më parë pas publikimit të një fotografie nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila, gjatë homazheve për 21 Janarin, kishte veshur një pallto të zezë me kapuç, vlera e së cilës raportohet të jetë disa qindra euro.

Ndërsa fotografia e Ballukut u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, shumë qytetarë reaguan me kritika ndaj shpenzimeve të tilla luksoze nga zyrtarët publikë. Komentet, sa me ironi aq edhe me zemërim, pasqyrojnë pakënaqësinë e një shoqërie që lufton për të përballuar nevojat bazike dhe një qeverie që për bazë ka jetën e luksit.

“Si mundet një zyrtare e lartë të shpenzojë kaq shumë për veshje, ndërkohë që shumë shqiptarë nuk kanë para për faturat e energjisë?”- ishte një nga reagimet më të përsëritura.

Ky episod nuk është i izoluar. Fotot dhe paraqitjet publike të disa ministrave dhe drejtuesve të tjerë të qeverisë shfaqin veshje të markave të njohura ndërkombëtare, të cilat mund të krahasohen me standardet e luksit në kryeqytetet më të pasura të botës. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, shpesh bie në sy për kostumet e saj elegante e të kushtueshme.

Në anën tjetër, shumica e qytetarëve shqiptarë përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas të dhënave të fundit, Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë. Për shumë familje, prioritet mbetet mbijetesa.

Analistët vënë në dukje se stili i jetës së zyrtarëve të lartë është shpesh një tregues i shkëputjes së klasës politike nga realiteti i përditshëm i qytetarëve. “Kur një ministër shpenzon mijëra euro për një garderobë, çfarë mesazhi i dërgon ai njerëzve që mezi sigurojnë ushqimin e përditshëm?” – pyet një ekspert i ekonomisë.

Problemi nuk është vetëm te shpenzimet personale, por edhe te simbolika që ato përfaqësojnë. Zyrtarët e lartë janë përfaqësues të popullit dhe, si të tillë, pritet të jenë të kujdesshëm jo vetëm në vendimet e tyre politike, por edhe në mënyrën si përfaqësojnë veten në publik. Në një kohë kur po kjo qeveri ka bërë disa herë thirrje për masa kursimi dhe përballje me krizat ekonomike, paraqitjet luksoze janë një kontradiktë flagrante.

Në vende të tjera të Europës, të tilla polemika shpesh kanë pasur pasoja politike. Në Francë, për shembull, ministrat që u kapën me shpenzime të tepërta për veshje dhe udhëtime u përballën me dorëheqje të detyruara. Në Kroaci, kryeministri Ivo Sanader u arrestua vetëm pse hetimet nisën nga një orë dore që kushtonte afro 6 mijë euro. Në Shqipëri, megjithatë, kultura e llogaridhënies për çështje të tilla mbetet ende e dobët.

Kryetari i PD, Sali Berisha, i ka akuzuar publikisht qeveritarët, në veçanti ministret dhe deputetet socialiste, se mbajnë veshje dhe aksesorë të markave luksose:

“Koreja e Jugut desh mori flakë për një çantë Christian Dior të Zonjës së Parë. Por çantat Christian Dior nuk janë më të kushtueshmet. Çantat që hyjnë dhe dalin në Parlament qeveritaret, Hermes Birkin, Bottega Veneta, se nuk i keni parë ju, Louis Vuitton, shihni juve. Kushtojnë nga 200-500 mijë euro”.

Pyetja që mbetet është: a janë këto shpenzime një nevojë e zyrtarëve për të përfaqësuar shtetin me dinjitet, apo thjesht një tregues i arrogancës së pushtetit? Përgjigja, ndoshta, qëndron në ndërgjegjen e secilit prej tyre. Por kjo është një indicie që SPAK, si emblema e drejtësisë së re, të veprojë, duke bërë as më shumë e as më pak sesa Prokuroria e Posaçme e krijuar në Kroaci. /Zoom.al

Related Posts