zoom

Aktualitet

Qarkullonte me kokainë dhe sasi të mëdha valute në makinë, arrestohet në Sauk 43-vjeçarit

Një 43-vjeçar u arrestua nga shërbimet policore sot në Tiranë, pasi u kap me një sasi kokaine dhe shuma të mëdha në valutë, përfitime të dyshuara nga aktiviteti i paligjshëm.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin D. B., në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli 2”.

“Goditet nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, një rast i shitjes së lëndës narkotike. Vihet në pranga 43-vjeçari që u kap në flagrancë në Sauk, me sasi lënde narkotike kokainë. Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike kokainë, 5350 euro, 2800 franga dhe 10 000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shitjes së lëndëve narkotike, si dhe automjeti që përdorte ky shtetas”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sqarohet se si rezultat i veprimeve operacionale, në Sauk, u lokalizua dhe u ndalua automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin D. B., 43 vjeç, banues në Tiranë.

“Gjatë kontrollit fizik ndaj 43-vjeçarit dhe kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, 5350 euro, 2800 franga dhe 10 000 lekë të rinj, të dyshuara të përftuara nga veprimtaria kriminale e shitjes së lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin”, theksohet më tej.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit D. B. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/