Aplikacion
Këtë kërcënim të ri, të frikshëm për sigurinë evropiane, Putin e bëri duke folur në 350-vjetorin e lindjes së Car Pjetrit dhe iu referua Luftës së Madhe Veriore, e cila pa një koalicion anti-suedez të udhëhequr nga Moska, të shkatërronte perandorinë suedeze dhe të vendoste Rusinë si një fuqi të re perandorake në Evropë.
“Pjetri po luftonte me Suedinë dhe po pushtonte territore” , i tha Putin auditorit të tij, me një buzëqeshje në fytyrë, ndërsa fliste për themelimin e Shën Petersburgut në tokën e mbajtur dikur nga Suedia.
“Ai nuk po pushtonte asgjë! Ai po e merrte mbrapsht tokën e vetë!”, shtoi kreu i Kremlinit.
Duke lënë një tjetër referencë historike, këtë herë për Betejën e Narvës në Estoninë e sotme që hapi luftën, ai vazhdoi: “Pse shkoi atje? Ai shkoi atje për ta marrë përsëri dhe për ta forcuar, këtë po bënte”.
“Na ka rënë ne për pjesë që të marrim atë ça na takon dhe të forcohemi. Dhe nëse i marrim këto vlera si thelbësore për ekzistencën tonë, do të mbizotërojmë në çështjet me të cilat përballemi”, theksoi Putin në vijim.
Fjalët e Putinit po konsiderohen si një kërcënim i fshehtë për shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të cilat kanë frikë se ai do të nisë luftë kundër tyre sapo të përfundojë me Ukrainën, dhe për Suedinë dhe Finlandën ndërsa të dy vendet përpiqen të anëtarësohen në NATO.Stokholmi dhe Helsinki paraqitën aplikime për t’u bërë pjesë e NATO-s së fundmi, nga frika se marrëveshjet e tyre me Moskën mund të jenë të pavlefshme./Zoom.al