zoom

Bota

Punëtorët e ndërtimit po zëvendësohen? Robotët bëjnë punët në kantier

Kur punonjësit i japin fund ditës së punës për ndërtimin e një pallati shumëkatësh në Siatëll, dy robotë autonomë me inteligjencë artificiale fillojnë misionin e tyre.

“Roboti i pajisur me planimetrinë e ndërtesës futet në çdo dhomë duke kontrolluar punimet. Ai regjistron pamjet nga të gjitha anët me një kënd 360 gradë. Fotot më pas analizohen përmes një programi të inteligjencës artificiale dhe përfundimet e dala i dërgohen ekipit të projektit”, tha Stewart Germain, drejtor i inovacionit në firmën Skanska.

Tre muaj më parë, kur robotët iu prezantuan ekipit të punës si pjesë e një projekti bashkëpunimi mes kompanisë së ndërtimit Skanska dhe firmës ‘Nextera Robotics’ me seli në Boston, disa nga punonjësit ishin skeptikë.

Garrett Metz është inxhinier i projektit në kantierin e ndërtimit të firmës Skanska në Siatëll.

“Fillimisht nuk isha i sigurt nëse robotët do të ishin në gjendje të ndiqnin projektin. Nuk kam parë ndonjë robot që është në gjendje të manovrojë në mënyrë autonome në një kantier ndërtimi që ndryshon vazhdimisht. Pasi gjithmonë ka gjëra në rrugë, njerëz që futen brenda dhe dalin jashtë. Por robotët po bëjnë një punë shumë të mirë”.

Imazhet e marra nga robotët kalojnë përmes një programi të inteligjencës artificiale, i aftë të njohë mijëra detaje të lidhura me ndërtimin, në mënyrë që inxhinierët dhe projektuesit të mund ta ndjekin progresin e ndërtimit dhe të identifikojnë rreziqet e mundshme.

“Roboti analizon gjithçka që sheh, nëse muret janë të lyera apo jo. Nëse janë vënë kornizat në tavan? A janë instaluar tubacionet e ajrimit dhe nëse janë izoluar? Roboti kërkon për të gjitha këto detaje dhe më pas ofron të dhëna të përpunuara të përpikta që janë lehtë për t’u kuptuar”, shpjegoi Jacob Ryals, menaxher i operacioneve të firmës “Nextera Robotics”.

Fytyrat e punëtorëve janë të paqarta në imazhet e filmuara nga robotët për të mbrojtur privatësinë e tyre. Drejtuesit e projektit thonë se robotët janë atje për të ndihmuar punonjësit me detyra të lodhshme ose të rrezikshme dhe jo për t’i zëvendësuar ata.

“Shfrytëzimi i robotit të kursen shumë kohë. Do të duheshin më shumë se 40 orë në javë që një fotograf të marrë imazhe të sakta në kantier”, thotë Stewart Germain, drejtor i inovacionit në firmën Skanska.

“Roboti ofron mundësinë për të ndjekur progresin e punës në një pallat 31 katesh me 324 apartamente banimi. Për një njeri kjo detyrë do të kërkonte shumë kohë dhe do të ishte shumë e vështirë”, thotë Jacob Ryals, menaxher i operacioneve të firmës ‘Nextera Robotics’.

Pavarësisht përfitimeve teknologjike, kompanitë e ndërtimit kanë qenë të ngadalta në integrimin e pajisjeve me inteligjencë artificiale, por zoti Germain mendon se kjo do të ndryshojë.

“Industria e ndërtimit është në fazën e duhur për një përfshirje shumë më të madhe të robotëve. Mendoj se robotët do të punojnë gjithmonë krah për krah me njeriun si një mjet pune dhe që sjell përfitime. Nuk mendoj se robotët do të marrin përsipër procesin e ndërtimit”.

Germain thotë se është vetëm çështje kohe që inteligjenca artificiale të përfshihet më thellë në të gjitha proceset e sektorit të ndërtimit./ Zëri i Amerikës