zoom

Aktualitet

Publikohet projekti i shndërrimit të Banjave të Bënjës. Qytetarët: Shkatërrues dhe abuziv

Është publikuar për herë të parë projekti i risistemimit të Resortit Natyror të Banjave të Bënjës në Përmet, shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fitues kompaninë “Fusha sh.p.k”.

Zbatimi i projektit konsiston në sistemimin e zonës së parkimit të automjeteve, korsive të biçikletave, tre ballkoneve përgjatë kanioneve ku mund të soditet natyra, ngritjen e sportelit hyrës, banjave publike, qendrës shëndetësore dhe sigurimin e bordurave të vaskave të ujërave termale. Çdo ndërhyrje do jetë me dru dhe me materiale të zonës duke ruajtur vlerat natyrore dhe historike të zonës.

Por publikimi i këtij projekti nuk është pritur mirë dhe as nuk është pëlqyer nga qytetarët, të cilët e kanë shprehur kritika online.

Pothuajse të gjitha komentet, nga mbi 200 të tilla në profilin e Facebook ku u publikua projekti “BashësiaPërmet”, e përshkruajnë projektin si abuziv dhe shkatërrues.

Ata shprehen se kjo zonë ishte ndër pak hapësirat natyrore që nuk ishte prekur nga këto projekte.

Një ndër komentuesit është edhe eksperti i turizmit dhe studiuesi Auron Tare, që shkruan: Pyetja eshte perse duhet ne nje pejsazh natyror? A duhet kthyer ne nje Park? Apo duhet mbrojtur pejsazhi?”

Disa nga qytetarët thonë se përbërja drusore nuk është materiali i duhur për t’u përdorur në atë mjedis dhe se duhet një lëndë shkëmbore, pasi përmbajtja  e lartë e squfurit mund të shkatërrojë lëndët tjera.

“Është e bukur për sa kohë do të jetë publike, nëse privatizohet, shkatërrohet”,-shkruan një tjetër komentues.