zoom

Bota

Publikimi i të dhënave, banka zviceriane akuzohet për pastrim parash të kriminelëve e politikanëve

Kompania e shërbimeve financiare Credit Suisse është akuzuar nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një konsorcium prej 47 mediash, përfshirë Le Monde, The Guardian, The Miami Herald për pastrim parash. Në një investigim të më shumë se 162 gazetarësh nga 39 vende, përfshirë edhe Shqipërinë analizuan më shumë se 18.000 llogari bankare të hapura që nga fillimi i viteve 1940 deri në fund të viteve 2010.

Të dhënat iu dorëzuan në mënyrë anonime të përditshmes gjermane Süddeutsche Zeitung rreth një vit më parë. Këto llogari u përkisnin 37.000 individëve dhe kompanive. Asetet arrinin në 100 miliardë euro. Nga kjo shumë, 8 miliardë euro janë të lidhura me klientë të tllë si diktatorë, politikanë të korruptuar, pasuri të mëdha me origjinë të paligjshme ose të dyshimta, individë dhe kompani që i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare dhe rrjeteve kriminale ose mafioze.

Ky institucion financiar ka mbledhur fondet e tyre të lidhura me krimin dhe korrupsionin për disa dekada, dhe kjo është kryer “në mospërfillje të rregullave të vigjilencës të vendosura ndaj bankave të mëdha ndërkombëtare”

Nga ana e saj, Credit Suisse i mohon me vendosmëri këto pretendime “në lidhje me praktikat e supozuara të biznesit të bankës”.

“Përafërsisht 90% e llogarive të rishikuara janë mbyllur sot ose ishin në proces mbylljeje përpara interesimit të gazetarëve nga të cilat mbi 60% ishin mbyllur para vitit 2015”, vijoi banka.

Banka thotë se po heton burimin e rrjedhjes së të dhënave që çoi në këtë skandal me përmasa botërore.

Jo vetëm raste historike

Një trashëgimi nga e kaluara? Kjo është mbrojtja e bankës para gjykatës penale federale në Bellinzona, në kantonin Ticino, ku po gjykohet për pastrimin e parave të një rrjeti bullgar të trafikut të drogës midis viteve 2004 dhe 2007. OCCRP vë në dyshim qëndrimin e Credit Suisse ndaj nismës për transparencën financiare të udhëhequr nga G20 dhe OECD. Konsorciumi beson se praktikat e theksuara po ndodhin ende brenda bankës dhe përfshijnë drejtpërdrejt menaxhmentin e lartë të Credit Suisse. Gjithashtu, thuhet se banka u ofron “klientëve të pasur që kërkojnë diskrecion” një sërë produktesh duke bërë të mundur fshehjen e origjinës së fondeve. Kjo synon kryesisht klientët nga vendet në zhvillim në Afrikë, Lindjen e Mesme, Azi dhe Amerikën e Jugut. Klientët nga Evropa Perëndimore përbëjnë vetëm 1% të aktorëve potencialë. Ndër klientët e përmendur janë presidenti kazak, Kassym-Jomart Tokayev, Armen Sarkissian, president i Armenisë deri në janarin e kaluar, Mbreti Abdullah II i Jordanisë, një mori zyrtarësh nga Tunizia, Egjipti, Libia, Siria dhe Jemeni “të cilët kanë zhvatur shuma të mëdha parash nga vendet e tyre në kohën e Pranverës Arabe”, si dhe Robert Mugabe dhe një ekzekutiv i grupit Siemens që korruptoi zyrtarët nigerianë.

Në muajt e fundit, Credit Suisse është përfshirë në disa raste të profilit të lartë: kolapsi i kompanisë Greensill, ajo e fondit amerikan Archegos, një skandal korrupsioni në Mozambik që i dha një gjobë prej 475 milionë dollarësh nga autoritetet amerikane dhe britanike në nëntor. banka u gjobit gjithashtu me 2.6 miliardë dollarë në SHBA në vitin 2014 në një rast të evazionit fiskal masiv. Një nga arsyet që shpesh përdoret nga banka për përfshirjen e saj në kaq shumë skandale është “mungesa e kulturës së riskut”.

I emëruar në fund të prillit 2021 për të korrigjuar këtë problem, Antonio Horta-Osório nisi një riorganizim të aktiviteteve të bankës për të “vendosur menaxhimin e rrezikut në zemër të kulturës së bankës”. Por ai u shkarkua në dhjetor për shkelje të rregullave të karantinës.