zoom

Slider

“Pse u burgos vajza ime?”- Kur polakja Janina Glluc i shkruante Enver Hoxhës: Zemra po më çahet

Sot, në 8 mars në ditën që përkujton përpjekjet e grave për barazi, paqe dhe drejtësi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) propozon të lexoni këtë letër që Janina Glluc, një nënë e dëshpëruar, por trime i dërgonte diktatorit Hoxha, regjimin e të cilit e konsideronte edhe më të ashpër se nazizmi. Letra është e muajit shkurt 1971 dhe është e dyta, pas lutjes së parë të saj për lirimin nga burgu të nënës së dy fëmijëve, Barbara Glluc Orgocka.

Që prej vitit 1959, Barbara Glluc Orgocka braktis vendin e saj amë dhe vendos të jetojë në Shqipëri me bashkëshortin e saj, inxhinierin nga Korça, Vasillaq Orgocka. Në ato vite ashpërsimi të represionit komunist Orgocka u dënua nga gjyqi shqiptar me burgim të përjetshëm.

Në këto rrethana nga vendi i saj i lindjes Polonia, nëna e saj, Janina Glluc i dërgon një letër të shkruar në polonisht, sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSH, Enver Hoxha, për të mësuar shkaqet e burgimit të vajzës së saj. Ashtu, sikundër e përmend në letër znj. Glluc arsyet për të janë ende të paditura, edhe pse kjo është një letër e dytë që Janina Glluc i dërgon Hoxhës.

Në lutjen e parë që mban datën 18/8/1970, znj. Glluc fare qartë nuk pajtohet me arsyetimin se shkaku i burgosjes së vajzës së saj është kryerja e ndonjë veprimtarie kundër popullit shqiptar.

Nga lutja veç të tjerave kuptohet ashpërsimi i mekanizmave të regjimit të Hoxhës. “Era” e liberalizmit në kursin e ri të politikës të Bashkimit Sovjetik, ku u denoncua hapur kulti i Stalinit, duke u njohur kështu në histori si procesi i destalinizimit, nuk solli asnjë të re në Shqipëri. Shqipëria jo vetëm që nuk u ndikua, por përkundrazi i qëndroi besnike vijës marksiste-leniniste.

Në këtë klimë politike, ashpërsie dhe kontrolli represiv, edhe pse pas disa lutjesh nëna e Barbaras, Janina Blluc nuk lejohet madje as ta vizitojë të bijën qoftë edhe pranë përfaqësuesve të Ambasadës shqiptare në Varshavë.

Historia e Barbara Ogockës, bashkëshortja e Vasillaq Orgockës, e dënuar me 25 vjet heqje lirie, është një nga historitë më të dhimbshme të grave të huaja që vuajtën dënime të padrejta në Shqipëri. Ajo u lirua më 24.6.1971 pas ndërhyrjeve dhe presionit të Ambasadës polake në Tiranë. Ishte shkatërruar nga torturat e vazhdueshme që iu bënë. Vuajti gjithsej 2 vjet, 3 muaj, 29 ditë. U lejua më pas të riatdhesohej, por nuk e mori veten kurrë nga ajo që kaloi në Shqipëri.