zoom

Stil

Pse shumë njerëz flasin në gjumë?

Gati të gjithë kanë një histori personale apo të familjarëve që flasin në gjumë. Megjithëse priret të jetë një dukuri më e zakonshme tek fëmijët, ajo mund të vërehet në çdo moshë. Një studim i vitit 2010 në revistën “Sleep Medicine”, zbuloi se rreth 2/3 e njerëzve përjetojnë të paktën një episod të të folurit në gjumë në moshën madhore.

Të folurit në gjumë nuk cilësohet një çrregullim i gjumit, por një variacion normal i sjelljes së njeriut në gjumë. Klasifikimi Ndërkombëtar i Çrregullimeve të Gjumit e klasifikon tëfolurit në gjumë si një simptomë të izoluar, së bashku me elementë të tjerë si gërhitja.

Edhe pse të folurit në gjumë nuk është një çrregullim, ai mund të ketë ndikime të padëshiruara në gjumin e një personi, sidomos tek ata që flenë në të njëjtën dhomë apo shtrat me të. Me të folurit në gjumë, ose somniloquy, kuptohen vokalizime të ndryshme ndërsa një njeri është në gjumë. Ato mund të jenë fjalë dhe fraza të plota, por edhe mund të jenë murmuritje, britma apo edhe të qeshura.

Zakonisht fëmijët flasin në gjumë. Sipas një studimi të vitit 1980, mbi gjysma e tyre flasin tëpaktën një herë në vit ose më shumë, ndërsa çereku flasin në gjumë të paktën një herë në javë. Rreth gjysma e të folurit në gjumë është e pakuptueshme sugjeron një studim i vitit 2017 që regjistroi të folurën në gjumë të subjekteve që iu nënshtruan studimit.

Ndër të tjera studimi zbuloi se nga 3.349 regjistrime të kuptueshme, fjala që thanë shumica e atyre që folën në gjumë ishte “Jo”. Nga ana tjetër, është një mit pretendimi se nëse njerëzit thonë të vërtetën gjatë të folurit në gjumë thotë Xhenifer Martin profesoreshë e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë.

Ndërkaq një studim i vitit 2009 zbuloi se disa njerëz flasin gjatë ëndrrave të tyre, duke thënë fraza që përputhen me ato që më vonë kujtojnë se kishin ëndërruar. Por shumica e të folurit në gjumë nuk ka lidhje me ëndërrimin. “Të folurit në gjumë priret të ndodhë në një fazë të gjumit që ne e quajmë lëvizja jo e shpejtë të syve, ose gjumi jo REM. Gjatë kësaj faze truri ynë është relativisht i qetë, krahasuar me atë që shohim gjatë gjumit me lëvizjen e shpejtë të syve”- thekson Martin.

Gjatë gjumit REM, trupi paralizohet për të parandaluar shfaqjen e ëndrrave, thekson Martin, dhe kjo paralizë i ndalon njerëzit të flasin në gjumë. Nëse të folurit në gjumë ndodh gjatë gjumit REM, atëherë mund të jetë një shenjë e diçkaje më serioze.

“Çrregullimi i sjelljes gjatë gjumit REM evoluon shpesh në sjellje të dhunshme gjatë gjumit si ulërimat, bërtitjet, të cilat mund të çojnë në lëndim të pacientit ose partnerit të tyre në shtrat. Në këtë rast mund të kemi shenjat fillestare të sëmundjeve që janë tipike për tëmoshuarit, zakonisht sëmundja e Parkinsonit apo Demenca”– thotë dr.Erik St.Luis, kreu i Divizionit të Neurologjisë së Gjumit në Klinikën Majo në Minesota.

Po çfarë e shkakton të folurit në gjumë? Studiuesit nuk e dinë ende arsyen, por studimet që matin aktivitetin e trurit mund të ofrojnë disa të dhëna. Analizat e fundit tregojnë ngjashmëri midis të folurit në gjumë dhe të folurit normal gjatë qëndrimit zgjuar thotë St.Luis.

Studimet gjuhësore ai i vitit 2017 botuar në revistën “Sleep”, kanë treguar gjithashtu se vetitë e të folurit gjatë gjumit – gjuha, modelet, sintaksa dhe semantika – ndjekin të njëjtat rregulla si bisedat e përditshme të njerëzve dhe për këtë arsye janë të kuptueshme.

Të folurit në gjumë mund të lidhet me konsolidimin e kujtesës, kur truri i fjetur rishikon përvojat për t’i ruajtur më të rëndësishmet në kujtesën afatgjatë. Nga ana tjetër shkaku i të folurit në gjumë mund të jetë i ndryshëm tek fëmijët dhe të rriturit, thekson Martin. Të folurit në gjumë dhe sjellje të tjera të pazakonta të gjumit janë shumë më të zakonshme tek fëmijët dhe kjo sepse truri i fëmijës synon “të mësojë çfarë të mos bëjë” thekson Martin.

Po ashtu mund të lidhet me fazat e zhvillimit të trurit gjatë fëmijërisë. Ndërkaq tek të rriturit,disa kushte dhe rrethana të tjera e bëjnë më të mundshme të folurin në gjumë. Së pari kjo dukuri mund të ketë edhe një komponent gjenetik. Sipas një studimi të vitit 2001 të botuar në revistën “Psychiatric Genetics”, ajo mund të trashëgohet në familje.

Gjithashtu, të folurit në gjumë ka qenë i lidhur me apnean obstruktive të gjumit, një gjendje në të cilën njerëzit përjetojnë pauza në frymëmarrje, apo frymëmarrje të cekët gjatë gjumit.

A mund të ndalohet e folura në gjumë? Kjo dukuri konsiderohet zakonisht një tipar i padëmshëm.

Por mund të jetë i pakëndshëm për këdo që e dëgjon. Sepse në studimin e gjumit 2017, 10 për qind e të folurit në gjumë përmbante sharje dhe fyerje. Për të parandaluar që një person të flasë në gjumë, Martin këshillon që t’i jepni një shtyrje të vogël. Ajo ndërprerje e butë e gjumit, mund të ndalë atë sjellje thotë ajo./ Bota.al