Në tetor 2021, pak para se kryeministri i vendit, Edi Rama të shpallte krizën energjitike në vend, njoftoi se do të dërgonte në orbitë dy satelit -ë shqiptarë.
Në atë kohë, kryeministri Edi Rama pati publikuar një video me një person, me gjasë përfaqësues i kompanisë Space X të Elon Musk, ku thuhej se njëri satelit, i quajtur “Albania 1” do të nisej në orbitë në muajin mars, ndërsa në qershor “Albania 2”.
Kryeministri Edi Rama: Pra jemi këtu.
-Po, ky është lëshimi i Spacex Falcon 9, që u bë në qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë, Albania 1 kur do të jetë gati? Në mars?
-Po, në mars do të lëshohet. Do duket kështu si kjo. Do të filmojmë një video dhe gjëja tjetër që do të shohim pas shkëputjes do të jetë vendosja e satelitit në orbitë.
Kryeministri Edi Rama: Po Albania 2? Në qershor…
-Saktë…
Kryeministri Edi Rama: Super.
-Kjo është pamje e orbitës ku do lëshohen.
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë.
-Po, zotëri.
Sot është data 30 e muajit mars dhe qeveria ka hedhur në ajër çdo gjë, përveç se satelitëve.
Çfarë ndodhi me planin për hedhjen e “Albania 1” në hapësirë? A do ta sillte Rama në të vërtetë në jetë një plan të tillë për ta hedhur këtë satelit? Apo euforia e madhe për digjitalizimin e kadastrës e futi në portale të tjera teknologjie?
Aspak e zakontë për të, por Rama ka zgjedhur të heshtë për historinë me satelit dhe arsyet se pse kjo nuk ndodhi gjatë marsit. (Gjasat që të ndodhi ditën e fundit të muajit janë shumë të vogla).
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kur ai e prezantoi dhe opozita qeshte, kryeministri i pashqetësuar, iu drejtua:
“Ju qeshni, sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot për herë të parë jeni në kushtet ku qeshni se nuk qani dot, prapë ju vazhdoni qeshni, nuk ka problem”, ndonëse këto fjalë janë ende koherente për opozitën, që gjendej në atë periudhë në parlament.
Shpesh, plani i Ramës për të prekur qiellin, u paralelizua me atë të homologut të tij turk, Reçep Tajipp Erdogan e duke pasur parasysh miqësinë e dy liderëve, ai turk mund të ketë përfshirë Ramën në programin e Turqisë për lëshimin në hapësirë të satelitëve deri në 2023-shin.
Sipas informacioneve publike në rrjet, mirëmbajtja dhe lëshimi i një sateliti në hapësirë ka një kosto tavan prej 50 mln eurosh, sa dyfishi i parave që qeveria ka vënë në dispozicion për paketën e rezistencës. Kështu, bashkëpunimi me Turqinë do t’i ulte ndjeshëm këto kosto në barrë të buxhetit të shtetit.

Arsye e pezullimit të satelitëve mund të jetë edhe një krisje e shoqërisë turko-shqiptare. Mund të tentojmë të besojmë se është edhe vendim i Këshillit të Ministrave për ta kaluar ngritjen e një sateliti tek “investimet që mund të presin”, sepse vendi është në krizë.
Ndoshta lëshimi i tyre në ajër u shty për shkak të krizës gjeopolitike që trembi të gjithë Evropën. Ndoshta për shkak të stagflacionit që po përjeton vendi?!
Ekziston dhe mundësia që sateliti “Albania 1” të jetë duke na survejuar tashmë nga lart, por ai nuk do ta lejonte të ndodhte kjo pa pak zhurmë.
Gjithsesi, mund të themi që kryeministri dhe të tjerët rreth tij duket se e kanë menduar se përtej qejfit dhe dëshirës për të fluturuar do të ishte e turpshme që në mesin e protestave, debateve, inflacionit, varfërisë, të hidhnim në ajër 50 mln euro. Janë po aq të turpshme udhëtimet me avion privat të vetë kreut, por ndoshta edhe ato janë të domosdoshme për digjitalizimin e kadastrës./Zoom.al