Aplikacion
Nuk mund të thuash që Banka (qendrore) e Japonisë nuk beson te tregjet e lira. Përvec faktit që si anëtarë të G7 – grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës – ekonominë e kanë rritur nga eksportet dhe tregjet e lira, kanë mbi një shekull që janë në pararojë të bankingut qendror dhe shumë ide, përfshirë edhe të famshmin “Lehtësimi Sasior” janë shpikur nga BJ. Po kjo nuk i pengon aspak që të ndërhyjnë në treg të mbrojnë monedhën e tyre kur interesi kombëtar e kërkon – konkretisht mbrojtjen e eksportuesve. Për herë të fundit kjo ndodhi dhe tetor 2022.
Edhe Banka Kombëtare e Zvicrës nuk mund të akuzohet se nuk beson te tregjet e lira por edhe ajo, për të mbrojtur eksportuesit e vet ndërhyn rregullisht për të stabilizuar kursin. Jam i bindur që BSH i di këto dhe shumë raste të tjera. Edhe që i thotë këto për të justifikuar mosveprimin, kjo merret me mend. Mister është arsyeja pse nuk dëshiron të ndërhyjë.
Bankat qendrore po përjetojnë një periudhë të vështirë. Disa nga bankat më të fuqishme po hasin vështirësi të mëdha për të arritur objektivat e tyre dhe për këtë, kritikohen me dhe pa vend. Kritikat ndaj Reserves Federale (Banka Qendrore e SHBA) variojnë nga mefshtësia dhe reagimi i avashtë kundër inflacionit deri te miopia ndaj alarmit që ra para se dy banka të pësonin kolaps. Banka e Anglisë ku më është dhënë mundësia të kontribuoj që nga 2015, kritikohet për arsye të ngjashme dhe më së fundmi për “të menduarin në grup” (me fjalë të tjera, anëtarët e bordit drejtues mendojnë njëlloj në vend që të debatojnë e ballafaqojnë mendime të ndryshme për të arritur në vendimin më të mirë). Banka Qendrore Europiane kritikohet njëlloj për rolin e dobët në luftën ndaj inflacionit. Dhe kur kritikohen këto banka me struktura governance dhe eksperiencë solide, vetëm mund të imagjinohet rasti i BSH. Por çuditërisht, përveç ndonjë krititike të izoluar, të lidhur me nepotizmin dhe jo me politikat, kritikat e tjera konstruktive ndaj BSH janë raste të rralla. Me ç’duket, kjo mungesë vëmendjeje, monitorimi dhe kërkese llogarie kur gabon, ka lidhje direkte me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet tregu i këmbimit të parasë në veçanti; dhe informaliteti e gëlimi i euros në vend të lekut në të katër cepat e vendit, në përgjithësi.
Pasojat po bëhen përditë e më të qarta për ekonominë dhe eksportuesit shqiptarë në veçanti.
Është e vështirë ta shpjegosh forcimin e lekut në krahasim me euron bazuar në fondamentet ekonomike. Prononcimet e mjegullta të BSH që e lidhin me turizmin në rritje nuk bindin – Turqia vizitohet nga 45 milionë turistë në vit dhe për fat të keq Lira Turke ka humbur shumë vlerë në krahasim me euron. Bilanci tregtar është negativ e ndonjë rritje produktiviteti që të justifikojë këtë forcim nuk ka.
Ndërkohë eksportuesit po ngrenë alarmin po njeri s’ua ka ngenë, ndoshta ngaqë është periudhë pushimesh. Mesazhi? Hajt se flasim nga vjeshta. Atëherë do kenë ikur edhe turistët… me siguri edhe euro do rivlerësohet. Pushime të mbara edhe juve!