zoom

In Zoom

Pse nuk çohen para drejtësisë Salillari, Kastrati e Armand Lilo që kanë ndërtuar pa leje?

Edi Rama kërkoi sërish sot t’u hidhte hi syve shqiptarëve për ndërtuesit që kanë ndërtuar kate pa leje në pallatet shumëkatëshe në qendër të Tiranës apo në komplekse në periferi.

Ai tha se VKM që ka miratuar, për t’ua shembu apo konfiskuar këto kate, rrëzon mitin që ai është bashkëpunëtor i ndërtuesve, të konsideruar rëndom si oligarkë.

Por a është vërtet VKM e miratuar nga Rama ajo që do të bëjë drejtësi për katet pa leje?

Vendimi i Këshillit të Ministrave u kërkon ndërtuesve që t’i blejnë me çmimin e referencës sipërfaqet pa leje, ose t’ia japin shtetit për t’i përdorur. Nëse shteti e sheh të arsyeshme, mund t’i prishë.

Por përpara se të veprojë VKM e Ramës, për ndërtimet pa leje prevalon ligji. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar masat që merren për ata që ndërtojnë pa leje.

Për qytetarët që ndërtojnë pa leje në tokën e tyre, Kodi Penal parashikon dënim deri në 1 vit. Për ata që ndërtojnë në tokë shtetërore apo në tokën e të tjerëve, nga 1 deri në 5 vjet. Për ata që ndërtojnë për qëllime përfitimi, pra ndërtuesit, dënimi është nga 3 deri në 8 vjet.

Kështu, përpara se të miratonte VKM-në, e cila nuk ka asnjë fuqi përpara Kodit Penal, Rama dhe strukturat shtetërore do të duhet të kishin zbatuar ligjin. Duhet të kishin çuar para drejtësisë Pëllumb Salillarin dhe jo t’i sekuestronin kompleksin. Po ashtu edhe Lul Morinën, Armand Lilon që ka 6 kate pa leje te “Syri i Tiranës” apo Shefqet Kastratin që sipas Gazmend Bardhit të PD, ka 5 kate pa leje te “Downtown”.

VKM e qeverisë, në këtë rast, është e pavlefshme. Këtë e di edhe prokurori më i thjeshtë. Nëse jo, do të duhet të kishte lënë detyrën menjëherë. Prokurorët mund të veprojnë në çdo rast, nëse do të guxonin, duke e injoruar VKM-në e Ramës, pasi ligji është në anën e tyre.

Por ashtu si strukturat e tjera që i kanë lejuar këto ndërtime, edhe VKM e Ramës ashiqare është në ndihmë të ndërtuesve dhe jo në dëm të tyre. Zbatimi i ligjit do të tregonte s Edi Rama dhe qeveria e tij janë kundër abuzuesve. Shpikja e VKM i pozicionon pro tyre.

Nëse do të ishte zbatuar Kodi Penal, Kastrati, Salillari, Lilo, Morina e të tjerët do të ishin duke i bërë llogaritë sot me drejtësinë, siç i kanë bërë qytetarët e thjeshtë dhe askush tjetër nuk do të kishte guxuar më të ndërtonte asnjë metër katror pa leje.

Zoom.al ishte media e para që denoncoi katet e paligjshme të “Eye of Tirana- Syri i Tiranës”. Kjo kullë ndodhet para zyrave të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, në Sheshin Skënderbej.

Kompania “Arlis-Ndërtim,” që zotërohet nga Armand Lilo do të duhej ta kishte realizuar projektin me 26 kate, por po t’i numërosh katet e kësaj kulle shkojnë në 42. Skandal ky që do të sillej në vëmendje dje, edhe nga deputeti demokrat, Ervin Salianji.

“A ka mundësi që ky ndërtim në mes të Tiranës, një gradacelë të bëhet pa bekimin e qeverisë? Sot po i pyes zyrtarisht, a e ka çuar dhe referuar në Prokurori, IKMT-ja dhe Policia e Shtetit?”- do të pyeste deputeti Ervin Salianji.

Bërja publike e shkeljes me të dyja këmbët të ligjit nga ndërtues VIP në vend, faktuar me foto e video do të duhej të kishtë vënë në lëvizje IKMT-në dhe Policinë e Shtetit, të cilët duhet t’i kishin dërguar në Prokurori, të gjithë ndertuesit me kate pa leje.

Më pas, siç ligji e do, kjo e fundit nis hetimet përkatëse. Hapa këto të cilat i përcakton Kodi Penal.

Kështu, Armand Lilo nuk do të mund t’i legalizonte katet pa leje te “Syri i Tiranës”, por do të duhet të ishte para drejtësisë se ka shkelur ligjin hapur, duke sfiduar shtetin. Salillari s’mund ta legalizojë kompleksin e tij me VKM-në e Edi Ramës, përpara se të shkojë si çdo qytetar tjetër para drejtësisë. Gjithashtu, edhe Kastrati duhet të ishte përballur me drejtësinë për 5 katet pa leje te ndërtesa “Downtown” në bulevardin “Bajram Curri”.

Duke hedhur në treg, një VKM, Rama po i ndihmon shkelësit e ligjit t’ia hedhin paq dhe po ashtu po tremb prokurorët dhe strukturat e tjera që të mos zbatojnë Kodin Penal. /Zoom.al