zoom

Bota

Pse Libani është kaq i brishtë? Një histori e gjatë dobësie e qeverisë dhe e shtetit

Gjatë një sesioni të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mesin e javës së kaluar në Nju Jork, kryeministri libanez Najib Mikati tha se Izraeli po zhvillon një “luftë të pistë” kundër Libanit. Izraeli është përgjegjës për përshkallëzimin e paprecedentë në Liban dhe për vrasjen e qindra civilëve brenda disa ditësh, “përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët”, tha Mikati. Për këtë, shtoi ai, shpreson në një deklaratë të përbashkët të FrancësdheSHBA-së, e cila do të merrte mbështetje ndërkombëtare dhe që do t’i jepte fund “luftës”. Izraeli, megjithatë, e hodhi poshtë këtë të martën duke nisur edhe ofensivën tokësore në Liban.

Fjalimi tregon se qeveria libaneze është kryesisht e pafuqishme në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut. Ajo nuk ka ndikim të rëndësishëm as në veprimet e Izraelit dhe as të Hezbollahut. Këto ditë dobësia kronike e qeverisë dhe shtetit libanez po demonstrohet në mënyrë dramatike.

Një histori e gjatë dobësie e qeverisë dhe e shtetit

Kjo dobësi ka një histori të gjatë. “Libani u themelua në fillim të shekullit të 20-të si një shtet i maronitëve të krishterë në aleancë me fuqinë mbrojtëse, Francën,” kujton Markus Schneider, kreu i Projektit Rajonal për Paqen dhe Sigurinë në Lindjen e Mesme, në zyrën përfaqësuese të Fondacioni gjerman Friedrich Ebert në Bejrut. “Problemi fillestar ishte se shteti përfshinte që në fillim zona të mëdha me popullsi jomaronite. Konfesionalizmi ishte përfundimisht një kompromis për të përfshirë grupe të tjera të popullsisë. Por kjo pengoi formimin e një identiteti dhe shteti të fortë kombëtar”.

Një strukturë e tillë konfesionale u dobësua më tej nga lufta civile libaneze që shpërtheu në vitin 1975, në të cilën tre grupet më të mëdha fetare në vend – shiitët, sunitët dhe të krishterët maronitë – u përplasën me njëri-tjetrin. Pas përfundimit të luftës në vitin 1990, Libani krijoi një sistem të ekuilibruar konfesional, i cili supozohej të harmonizonte interesat e grupeve të ndryshme fetare. “Ky sistem, megjithatë, ka bërë që këto grupe të përpiqen vazhdimisht të ndjekin interesat e tyre në kurriz të grupeve të tjera,” thotë Schneider. “Ai po vazhdon të dobësojë shtetin dhe kjo shihet, për shembull, në faktin se vendi nuk ka arritur të bjerë dakord për zgjedhjen e presidentit të shtetit që nga viti 2022.

Ushtria libaneze, në aspektin ushtarak, është relativisht e dobët. Sipas Indeksit Global Firepower, i cili krahason fuqinë ushtarake të ushtrive kombëtare në mbarë botën, ushtria libaneze renditet e 118-ta nga gjithsej 145 forca të armatosura. Nuk do të mund t’i bënte rezistencë serioze ushtrisë izraelite, e cila renditet e 17-ta sipas të njëjtit indeks. Po kështu, kjo forcë nuk është në gjendje të mbisundojë ushtarakisht as Hezbollahun. “Kjo mund ta çojë Libanin në luftë civile,” thotë Markus Schneider.

Problemi më i madh i ushtrisë libaneze ishte dhe është akoma – ai politik. Duke qenë se ushtria nuk është nën kontrollin e një grupi të vetëm konfesional, ajo përgjithësisht konsiderohet si një nga institucionet e pakta mbikonfesionale në vend, thotë Schneider. “Megjithatë, ushtria është e dobësuar edhe nga kriza shtetërore dhe ekonomike. Prandaj e mbështesin financiarisht, sidomos kur bëhet fjalë për pagat. Pas kësaj qëndron shqetësimi se, në rast të kolapsit të ushtrisë, mund të bjerë edhe i gjithë sistemi shtetëror libanez. Problemet politike të vendit, megjithatë nuk mund të zgjidhen me ushtrinë”.

Një ushtri e dobët

Dobësia e shtetit reflektohet edhe në pasivitetin e ushtrisë libaneze. Sidomos në jug të Libanit gjendet në dilemë: në bazë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit, aty bashkëpunon me forcën paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL. Të dyja palët kanë nga 15.000 ushtarë secila. Prania e tyre lidhet me luftën e Libanit të vitit 2006: kur Izraeli mori pozicione në jug të Libanit. Nëse trupat izraelite tërhiqen një ditë, këto dy formacione ushtarake duhet së bashku të sigurojnë që njësitë e armatosura paraushtarake libaneze të mos vijnë në këto vende. Vetëm trupat e autorizuara nga qeveria libaneze duhet të jenë të pranishme në zonë. Megjithatë, Hezbollahu deri më tani nuk e ka respektuar këtë dispozitë: ai është ende i pranishëm në zonë./DW