zoom

Ekonomi

Pse i intereson qeverisë rritja e çmimit të karburantit

Çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë shënoi një rritje të ndjeshme javën e shkuar, duke kapur një nivel rekord prej afro 200 lekë për litër.

Kjo është rritja më e madhe e bërë brenda një jave në tregun e shpërndarjes me pakicë, teksa çmimi kapërceu nga 185 lekë në afro 200 lekë për litër.

Qeveria edhe në këtë rast justifikoi vendimin e importuesve duke theksuar kjo ishte pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve u mjaftua me faktin se nuk ka dyshime për çmimeve të fiksuara nga ndonjë situatë monopoli, ndërsa u përpoq të qetësojë qytetarë vetëm me faktin se parashikimet janë që kjo të jetë një rritje kalimtare, megjithëse ka gati 1 vit plotë që kurba e çmimit të karburanteve vetëm rritet.

Por në fakt qeveria në këtë rast është në konflikt interesi, pasi asaj në aspektin e të ardhurave i intereson që çmimi i karburanteve, ashtu si dhe i produkteve të tjera të jetë sa më i lartë.

Dhe kjo për disa faktor, siç është TVSH apo renta minerare.

Qeveria në dokumentin e Programit të Reformave Ekonomike të publikuar në Fletoren Zyrtare ndër të tjera merr në analizë edhe performancën e të ardhurave nga tatimet dhe doganat.

Sipas këtij dokumenti të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria  e Përgjithshme e Tatimeve, për periudhën janar – nëntor 2021, ishin 400.4 miliardë lekë, me një realizim prej 105.6% të planit dhe 17.9% ose 60.8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu qeveria bën të ditur se ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në ecurinë 11-mujore kundrejt planit është rritja e të ardhurave doganore si rezultat i rritjes së vëllimit të importeve dhe e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare

Duke u ndalur tek të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar nga importet në këtë dokument thuhet se ato patën një realizim 116.1% të planit me një rritje prej 26.9 miliardë lekësh ose 29.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ecuria e TVSH-së në importe ndikohet nga disa faktorë, si:

-Rritje e volumit të importeve, e cila ka sjellë një rritje të të ardhurave me 135.6 miliardë lekë ose 31.7% më shumë krahasuar me 11-mujorin e 2020-ës.

-Rritje e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2020, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme prej rreth 15% në strukturën e TVSH-së në importe, duke dhënë një efekt pozitiv prej 1.8 miliardë lekësh”, thuhet në këtë dokument zyrtar çka konfirmon edhe një herë interesin që ka qeveria për të patur çmime sa më të larta për karburantet.

Por TVSH përbën vetëm një element, pasi nga rritja e çmimit të karburantit qeveria siguron të ardhura më të mëdha edhe nga renta.

Qeveria bën të ditur se ecuria e të ardhurave nga renta minerale gjatë periudhës janar–nëntor 2021 ishte 2.2 miliardë lekë me një realizim në masën 99.9% të planit, duke shënuar një rritje prej 32.3% ose 539 milionë lekësh më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Performanca e tarifave të minierave është ndikuar nga disa faktorë, si:

-Rritje  e  çmimit  të  naftës  bruto  në  tregjet  ndërkombëtare,  me  efekt  507.8  milionë lekë, por  edhe  i shoqëruar  me  rritje  të  sasisë  së  naftës  bruto  të  eksportuar  me  2.8%  më  shumë  se  vitin  e  kaluar  me  efekt + 35.2 milionë lekë”, thuhet në dokumentin e reformave ekonomike.

Pra nisur nga këto dy element, interesi i qeverisë duket se është i ndryshëm nga interesi i qytetarëve sa i përket rritjes së çmimeve në përgjithësi dhe atij të karburantit në veçanti. /Zoom.al

 

Postime të lidhura