Aplikacion
Në shkrimin në fjalë, dy homologët cekin çështje delikate si demokracia, investimi te të rinjtë, tregtia apo siguria kibernetike. Një dyshe qesharake kjo, për nga pabarazia e dy folësve, në njërën anë Rutte, lideri i një vendi të konsoliduar, që paraqet përvojë dhe arritje në hapat drejt demokracisë e mirëqenies, e ndërsa në anën tjetër Rama, kreu i një qeverisjeje të akuzuar për korrupsion, përlyerje me botën e krimit, largim masiv të shqiptarëve dhe krizë ekonomike.
“Investim te të rinjtë tanë”- është këshilla që predikon Rama në editorial, në një kohë kur vendit, me një ritëm të paprecedentë po i ikin minorenë e studentë.
Rritja rekord e kërkesave për azil (plot 11 mijë të tilla në vitin 2021), aplikimet për Lotarinë Amerikane, tentativat për të siguruar viza turistike apo kontrata pune, largimet për në “tokën e premtuar”, Anglinë, me gomone, anije e kamionë apo dyndja drejt Gjermanisë e të tjera vendeve potenciale është panorama alarmuese e një vendi që rrezikon shpopullimin.
Eurostat tregon se që nga viti 2011 kur raportohen të dhënat deri në 2020-n, pjesa dërrmuese e aplikimeve për azil në 27 vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht rreth 77-78% përbëhet nga grupmosha nën 34 vjeç. Nga ana tjetër, anketa të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale me studentë, zbulojnë se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Ikja e të rinjve, fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Evropë.
View this post on Instagram
Video të rinjsh shqiptarë, që ia mbathin nga ky vend me gomone, duke rrezikuar mbytjen në det të hapur janë dëshmitë e një periudhe skandaloze për vendin, që nëse vijon me këto ritme, do të mbetet veçse një azil për të moshuarit gjermanë, ku javë më parë, Rama i ftonte të kalonin pleqërinë buzë brigjeve tona, në një kohë kur popullin e tij, s’po e mban dot.
Ironike po kështu, se si në editorial, Rama, njëzëri me Rutte-n thekson rëndësinë e sigurisë kibernetike, në një kohë kur skandalet e kësaj natyre në Shqipëri kanë qenë tronditëse; nisur nga lista e pagave, targave, për të vijuar me sistemin TIMS dhe database-n e MEMEX-it.
Fyes për inteligjencën fakti se reklamues i këtij projekti, pra roli i PR-it ndërmerret nga Rama, i cili për çdo temë që cek në shkrim, shkel cinikisht në dërrasë të kalbur.
Flet për demokraci, në një kohë kur Shqipëria është kapur nga një grusht njerëzish, të cilët ndërtojnë pa leje, veprojnë pa leje dhe shkelin me leje.
Flet për demokraci në një kohë kur niveli i korrupsionit është përkeqësuar. Sipas Transparency International vendi ra sërish nga rënditja këtë vit, krahasuar me 2020-ën.
Po kështu, flet në një kohë kur strukturat shtetërore çalojnë, ryshfeti vijon në administratë dhe krimi lulëzon (Shqipëria, e treta në Evropë për vrasjet në raport me popullsinë, 2020).
Një kryeministër që jep udhëzime demokracie, kur ndërkohë qeveria e tij akuzohet si e përfshirë në mega aferën e inceneratorëve; kryeministri i një vendi, nën udhëheqjen e të cilit këtë vit, Shqipëria mori renditjen më të ulët historike në Indeksin e Lirisë së Medias.
Një lider që përflitet haptazi për lidhje me bandat e krimit të organizuar, madje që denoncohet nga opozita dhe ish-presidenti si porositës i tyre.
Që shtron në editorial rëndësinë e sigurisë ushqimore, teksa skandalet figurojnë të njëpasnjëshme dhe ku ekspertët pranojnë se moskontrolli dhe mungesa e cilësisë na rrezikon integrimin në BE.
Paturpësisht jepet mend për vlera demokracie kur nga ana tjetër ende flitet për vjedhje votash, bashkëpunim me krimin, lekë të pista e pastrim parash, atentate të përditshme mafioze apo shantazhe politike ndaj vendit të punës.
Sa vlen karshillëku i një editoriali sa për sy e faqe, kur këtu, në vendin tënd, pushteti të është thërrmuar./ Zoom.al