zoom

Politikë

PS s’tërhiqet, vendos në axhendën e Kuvendit marrëveshjen me Italinë për emigrantët

Partia Socialiste nuk është tërhequr pavarësisht zërave kundër, duke vendosur në axhendën e Kuvendit marrëveshjen e firmosur nga kryeministri Edi Rama me homologen italiane Giorgia Meloni për emigrantët.

Pakti mes dy kryeministrave pritet të futet ne axhendën, për të nisur më pas shqyrtimet në Komisionet Parlamentare dhe për t’u votuar në seancën parlamentare.

Drafti do të miratohet sot në Konferencën e Kryetarëve. Për shkak të kaosit të krijuar nga opozita në Kuvend e Komisione Parlamentare, pritet që të shqyrtohet online.

Marrëveshja me Italinë parashikon që pala shqiptare të ofrojë vetëm pjesë të territorit të saj ku do të ngrihen dy qendra me një kapacitet maksimal prej 3 mijë vendesh, për migrantët e nisur nga veriu i Afrikës, të cilët shpëtohen në det nga anijet ushtaraka italiane apo ato të Guardia di Finanza-s.

Çdo shpenzim mbulohet nga pala italiane, ndërkohë që policia shqiptare merr përsipër të garantojë sigurinë në perimetrin e jashtëm të dy qendrave, një në Shëngjin e tjetra në Gjadër.