zoom

Politikë

PS miratoi ligjin për të ndërtuar në zonat e mbrojtura, denoncimi: Rama merr 30% për çdo leje

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një denoncim të fortë, pak orë pas votimit në Kuvend të ligjit që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura.

Kreu i PD-së së Rithemelimit shkruan se, kryeministri Edi Rama do të marrë përqindjen e tij për çdo leje ndërtimi që do të firmosë.

“Miqtë e mi, në një vend ku nuk ka drejtësi, duhet prokurori publik, gjykatësi publik.

Prokurori publik, sigurisht nuk ka fuqi t’i dërgojë kriminelët ku e kanë vendin. Por prokurori publik nga kjo tribunë, nga kjo platformë, ka të gjithë fuqinë morale për t’i varur ata në shtyllën e turpit të kombit shqiptar, në mënyrë figurative.

Ka të gjithë forcën për t’u bërë atyre gjyqin moral. Për t’i bërë Edi Ramës, gjyqin që meriton.

Njeriut, i cili ka pushtuar parlamentin me Lindën e tij. E përdor atë si një strofull të interesave të klaneve më kriminale.

Sot në parlament nuk votuan deputetët. Sot votuan trafikantët e drogës që shëmtojnë Tiranën me monumentet e drogës dhe korrupsionit. Me kullat e drogës dhe korrupsionit dhe që fryjnë me qindra milionë euro kontot bankare të Edi Ramës.

Sot u vendos që barbaria e tyre të vërshojë drejt trashëgimive tona qindra e mijëra vjeçare. Drejt parqeve tona.

Po pse? Vetëm e vetëm se Edi Rama në çdo ndërtim, në çdo leje merr përqindjen e tij.

Imagjinoni ju miq, a mund të imagjinoni ju miq një kryeministër në botë që firmos leje ndërtimi si për kullën 70-katëshe, edhe për ndërtesën dykatëshe të Karlo Bolinos. A ekziston kund në botë kjo? Ekziston vetëm aty ku gjithçka bëhet në funksion të xhepit të tij.

Sepse prapa firmës së tij, siç flitet rëndom, qëndrojnë të paktën 30 përqind e ndërtimit. Në 10 kate, tre kate. Në 30 kate, 10 katet e Ramës.

Kur bëhen 60, fut 20-katëshin në xhep.

Por ai nuk lejon komisionet hetimore sepse ata do nxjerrin të gjitha këto në dritën e diellit”, tha Berisha./Zoom.al