zoom

Aktualitet

Pr*stitucioni modern – Bizneset si qendra masazhi vetëm shtohen, “Tik-Tok-u” i reklamon

Prostitucioni në Shqipëri tashmë është modern. Një akt seksual mund të blihet lehtësisht në qendrat e ngritura për masazhe dhe shërbime estetike.

Për shkak të suksesit në këtë drejtim, qendrat e masazheve që ofrojnë shërbime ekstra shtohen dita-ditës, ndërsa policia duket se është e paaftë në goditjen e tyre dhe vendosjen e rregullit.

Në fakt, nuk kanë munguar aksionet e policisë në këtë drejtim.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2020 janë evidentuar 20 raste të ushtrimit të prostitucionit në “qendrat e masazheve”, në vitin 2021 10 të tilla , ndërsa në vitin 2022 janë goditur nga policia në operacione të ndryshme 17 ambiente ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, ku janë vënë në pranga 13 shtetas.

Por reklamimi që u bëhet në rrjetet sociale tregon se qendra e masazheve që janë kthyer në fole prostitucioni janë shumë më të shumtë në numër se operacionet e uniformave blu.

Tik-Toku është aplikacioni që po “ushqen” prostitucionin.

Nga një kontroll që mund të bëhet në “Tik-Tok”, shihen dhjetëra profile të qendrave të masazheve, që përfaqësohen me foto tejet provokueseve të vajzave të reja që punësohen aty, në kërkim të klientëve.

Kërkohen masazhatore me ose pa eksperiencë

Skema e punësimit të vajzave është e njëjtë dhe e zakonshme tashmë. Nga rrjetet sociale dhe faqet online, administratorët publikojnë njoftime të shpeshta pune, ku kërkohen vajza të reja “me ose pa eksperiencë pune”. Për shërbimet ekstra që vajzat ofrojnë, paguhen deri në 10 mijë lekë, nga ku marrin përqindjen e tyre administratorët e qendrave të luksit.

Janë këta të fundit që në shumicën e rasteve
iu imponohen vajzave që punësojnë, që përveç masazheve, të kryejnë edhe shërbime ekstra.

“Refuzimi prish punë dhe largohen klientët”, është mesazhi që u përsëritet vazhdimisht “masazhatoreve moderne”.

Ligji i dobët përballë fenomenit

Ligji shqiptar është mjaft i qartë, kur vjen puna për ushtrimin e prostitucionit, që sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Për “Shfrytëzim prostitucioni” ndëshkimi varion nga gjoba deri në burgim gjer në 5 vjet, ndërsa për “Mbajtjen e lokaleve për prostitucion” parashikohet një dënim me gjobë ose burgim deri në 10 vjet.

Marzhi i gjerë i dënimit në akuzën e fundit bën që kryesisht dënimet për këtë vepër penale të shkojnë deri në 1 vit burgim dhe më pas pezullim, duke kaluar në shërbim prove.

Po ashtu, juristët ngrejnë shqetësimin se në shumicën e rasteve, shfrytëzuesit dhe trafikantët i shpëtojnë dënimit pasi rastet e shfrytëzimit të prostitucionit apo trafikimit manipulohen dhe paraqiten në gjykatë sikur janë raste të ushtrimit të prostitucionit.

Rritje e frikshme e numrit të bizneseve si qendra masazhi dhe shërbime estetike

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Tatineve tregojnë se 5109 biznese të emërtuara si “Floktore dhe trajtime të tjera të bukurisë”, “Aktivitete të tjera të mirëmbajtjes trupore”, janë të regjistruara në total në rang kombëtar. Tirana kryeson me numrin më të madh, 2739 të tilla, për të vijuar më tej me Durrësin me 581 prej tyre, ndërsa Dibra ka numrin më të ulët.

Në vitin 2020 u hapën 330 biznese të reja të emërtuara “Qendra masazhi”, në 2021 433 të tilla, ndërsa 372 të tjera u shtuan vetëm në gjashtë muajt e parë të 2022.

Në kushte të tilla kur qendrat e masazheve dhe ato estetike ku vajzat shfrytëzohen për prostitucion lirshëm vetëm shtohen, a ka ardhur momenti për një vëmendje më të shtuar të autoriteteve në goditjen e këtij fenomeni?

A mjafton legjislacioni shqiptar për të luftuar “prostitucionin modern”?

A është ky momenti që të vendoset për mbylljen e qendrave të masazheve?