zoom

Lajme

Provat e skemës korruptive, Këlliçi: SPAK të hetojë grupin e UKT-së, hotele në Dhërmi dhe Durrës

Pas arrestimit nga SPAK të 3 ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës dhe marrjes nën akuzë të 5 të tjerëve, nën akuzën e korrupsionit, anëtari i kryesisë së grupit të Rithemelimit, Belind Këlliçi, ka bërë denoncime të tjera, kësaj here për një tjetër zyrtar të lartë të bashkisë.

Ndërsa SPAK nisi hetimet pas denoncimet të Këlliçit një vit më parë, ai denoncoi Elvin Tivarin, i cili ka qenë drejtor i Prokurimeve në UKT, gjatë kohës që drejtohej nga Redi Molla.

Këlliçi përmendi edhe hotelet e ndërtuara në Durrës dhe Dhërmi, për të cilat kërkoi hetime nga SPAK.

Për këtë ai publikoi dokumente dhe foto nga objektet e ndërtuara apo ku po investohet.

Reagimi i plotë i Këlliçit:

“Pas denoncimit tim publik më datë 26 prill 2023, në muajin maj të po atij viti depozitova kallëzimin penal në SPAK, për disa drejtues të Bashkisë Tiranë dhe subjektin tregtar “5D KONSTRUKSION”.

Pjesë përbërëse e këtij kallëzimi është dhe Drejtori i Prokurimeve në UKT, gjatë kohës që drejtohej nga Redi Molla, shtetasi Elvin Tivari. Sot do të ndalem tek një investim që ky individ ka bërë në Dhërmi, në bashkëpronësi me Fatos Malajn, vëllanë e Kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Në vitin 2022 këta dy shtetas regjistrojnë në QKB kompaninë ‘La Brisa’ dhe investojnë për ndërtimin e një hoteli me të njëjtin emër në Dhërmi, në vlerën 1.5 milionë euro. Gjatë analizimit të të dhënave financiare nga grupi ynë i ekspertëve rezulton se: Kjo kompani i detyrohet një shumë prej 630 mijë eurosh një nënkontraktori me emrin ABG Ndërtim.

Gjatë analizimit në QKB rezulton se ky subjekt në vitin 2021 është blerë nga shtetasi Durim Mustafa, sipas kontratës të firmosur në Lushnje. Nga kontrolli i të dhënave rezulton se shtetasi Durim Mustafa ka punuar në vitin 2021 si Drejtor Drejtorie pranë UKT sh.a. nën varësi të Redi Mollës.

Sipas dosjes hetimore për kompaninë 5D, të bërë publike ditën e djeshme, Durim Mustafa rezulton se është pjesë përbërëse e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në të paktën 3 procedura korruptive tenderuese në favor të subjektit 5D.

Pasi u përdor nga shefi i tij Redi Molla për këto procedura fiktive, pasi u përdorën si nënkontraktorë për të fshehur paratë e korrupsionit në hotelin La Brisa, drejtorët e Veliajt nuk mund të mjaftoheshin me kaq, pasi në gusht të vitit 2023, pas vjedhjes së zgjedhjeve lokale të 14 Majit, subjekti ABG Ndërtim me pronar vartësin e Redi Mollës, fiton një tender në vlerë 3.1 milionë euro, për të ndërtuar dhe riparuar ujësjellësit në disa fshatra të zonës së Burrelit.

Sigurisht ky nuk ishte një tender rastësor, pasi vendimmarrjen direkte në këtë procedurë e ka vetë Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, vëllai i ortakut të Redi Mollës dhe Elvin Tivarit.

I bëjmë thirrje SPAK, që të thellohet në hetimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, të hetohen hotelet e ndërtuara në Dhërmi, hoteli me 5 yje i Lali Erit në qendër të Durrësit, pasi aty do të gjenden lidhjet në nivele të larta politike, duke nisur nga pronari faktik i Inceneratorit të Tiranës dhe hotelit në Durrës Erion Veliaj dhe deri në Këshill të Ministrave.

Ditët në vijim, garantoj qytetarët shqiptarë se do t’iu sjellim fakte të reja për organizatën kriminale që ende vijon të streohet brenda mureve të tempullit të korrupsionit në Shqipëri, Bashkisë Tiranë. Ndaj gjej rastin sërish të theksoj se Qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë e vetmja kurë për ta çliruar Shqipërinë nga korrupsioni galopant i organizatës kriminale Rama – Veliaj.

O sot, o kurrë”. /ZOOM.AL/