Aplikacion
Protestuesit i kanë vënë flakën disa gomave të vjetra që kishin vendosur para bashkisë së Tiranës. Teksa kanë tentuar të hedhin molotov drejt bashkisë, policia iu është kundërpërgjigjur turmës duke hedhur ujë.
Teksa në podium fliste Belind Këlliçi, protestuesit kanë ‘shkulur’ gardhin metalik dhe kanë lëvizur nga vendi pjesët e betonit.
Këlliçi tha se policisë duhet t’i vijë turp, pasi po mbrojnë një hajdut dhe një bandë në pushtet. Ai iu tha policëve “mercenarë dhe mbeturina” që janë vënë në shërbim të pushtetit të Veliajt dhe Ramës.
Belind Këlliçi ka njoftuar se protesta e radhës për dosjen “5D” do të mbahet më 10 qershor. Ai i ka bërë thirrje drejtorëve të “5D” që të bëhen pendito dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të thënë të vërtetën.
“Më 10 qershor do të jemi sërish në protestë për të ruajtur taksat e qytetarëve. Kam një thirrje për drejtorët e “5D” që janë në burg apo ata që Veliaj do t’i fusë së shpejti. Bëhuni pentito e bashkëpunëtorë të drejtësisë. Mos bëni burgun e Erion Veliaj. Bëjeni për të afërmit e fëmijët tuaj”, tha ai.
Sekretari organizativ i PD-së së Rithemelimit, Klevis Balliu i bëri thirrje policisë që të lërë protestuesit që të vijojnë me tubimin e tyre para bashkisë së Tiranës. Ai bëri thirrje për arrestimin e Ramës, Veliaj dhe Ballukut.
“Ne nuk i tolerojmë provokimet. Nese doni që të ndalojë qëndresa, respektoni ligjin dhe arrestoni kryehajdutin Veliaj, apo Ramën dhe madam Ballukun. E shikoni atë atje? Një Arben Maloku merr 36 mln euro të fëmijëve tuaj. Gjatë qeverisjes së Ramës janë dhjetëfishuar përdoruesit e drogës”, tha ai. /ZOOM.AL/