zoom

Lajme

Rriten tensionet, Policia hedh gaz lotsjellës. Këlliçi: Qytetarët të marrin fatet e vendit në dorë!

Teksa tensionet brenda dhe jashtë Parlamentit janë në maksimumin e tyre si pasojë e debateve të forta dhe akuzave, si dhe protestës së opozitës me djegie gomash, konfrontim dhe molotov, vijojnë thirrjet për dorëheqje të qeverisë “Rama”.

Protestuesit janë përpjekur që të shtyjnë kordonin policor, por kanë ndeshur në rezistencën e efektivëve. Protestuesit dhe policia janë përplasur disa herë me njëri-tjetrin.

“Shtyni. Jemi luanë të Sali Berishës, shkojmë gjithmonë përpara”, thanë protestuesit ndër të tjera. Ndërsa, protestuesit u përpoqën të çajnë gardhin, policia është përgjigjur me spraj lotsjellës. Ndërsa jashtë Kuvendit protestohet, në parlament vijon seanca plenare.

Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi, në fjalën e tij në protestën e opozitës deklaroi se kryeministri Edi Rama ka 11 vite që largon shqiptarët nga vendi. Këlliçi theksoi se qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Ai tha se duhet të largohet qeveria, të cilën e konsideroi të korruptuar, me qëllim që në vend të vendoset drejtësia.

“Policia, boll hodhët gaz ndaj qytetarëve. Kjo është betejë për të gjithë shqiptarët, demokratë e socialist, me apo pa parti politike. Ai është parlamenti i shqiptarëve dhe jo i narkomanëve. Edi Rama me qeverinë e tij ka larguar 1 milion shqiptarë. Rama ke 11 vite që përzë shqiptarët nga vendi. Ky është regjim i mbështetur në krim e drogë.

Iu takon qytetarëve të marrin në dorë fatet e tyre. Policia të hapë rrugën për qytetarët. Kjo betejë do të shënojë vetëm fitore. Edi Rama drejton sot një kartel droge dhe këtë e di çdo shqiptar. Nuk kemi asnjë konflikt me policët, ata janë vëllezërit tanë, por ata duhet të jenë në nivelin që iu takon, sepse përfaqësojnë shtetin shqiptar”, tha ai mes të tjerash. /ZOOM.AL