zoom

Ide & Blog

Protesta e punonjësve të Bashkisë Tiranë para SPAK-ut, solidaritet apo trysni ndaj drejtësisë?

Nga redaksia Zoom.al

Arrestimi i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka sjellë një valë reagimesh nga mazhoranca. Por dy prej tyre spikasin: sulmet papushim të Edi Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO dhe protesta e sotme e organizuar nga punonjës të Bashkisë së Tiranë para SPAK ndërkohë që Erion Veliaj ka dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. Kjo protestë, e cila ka për qëllim të shprehë mbështetje për Veliajn ngre pikëpyetje serioze mesazhin që përcillet në raport me pavarësinë e drejtësisë.

Shumë nga punonjësit e bashkisë, të intervistuar nga mediat, kërkuan prova nga SPAK, duke nënkuptuar se ato që SPAK ka në dosje nuk mjaftonin, ndonëse ka pak gjasë ta kishin lexuar dosjen prej 400 faqesh.

Punonjës të Bashkisë Tiranë, të organizuar në mënyrë të dukshme dhe me pankarta në mbështetje të “Lali Erit”, sfiduan hapur procesin ligjor, me shumë me një akt presioni ndaj institucionit të drejtësisë sesa një shprehje të indinjatës qytetare.

Në një vend ku korrupsioni është galopant dhe bashkia e Tiranë është provuar nga gjykatat si një institucion me vjedhje masive në rastin e “5D”, protesta e punonjësve të një institucioni shtetëror kundër një tjetër institucioni shtetëror, për më tepër të pavarur, ngjason më shumë me një përpjekje për të mbrojtur vjedhjet sesa me kërkesa për drejtësi e respektim të drejtash individi.

Erion Veliaj i ka cuar edhe më parë punonjësit e tij të protestojnë para gjykatave, si në rastin e Kopështit Botanik. Por t’i ngresh në protestë kundër SPAK-ut që deri dje e ka vlerësuar si institucion, kjo është një luftë e hapur kundër drejtësisë së re.

Në vend që ta linte drejtësinë të kryente detyrën e saj, administrata e Bashkisë Tiranë vendosi të përdorte protestën si armë politike kundër SPAK, duke ngritur dyshime mbi një presion të mundshëm që mund të jetë ushtruar mbi punonjësit për të dalë në rrugë.

Sic thotë BE, “Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

Por mesa duket, pavarësia e drejtësisë nuk është më një standard që duhet përmbushur, por një hall për mazhorancën e përfshirë në dhjetëra skandale të mëdha korrupsioni./ Zoom.al

Postime të lidhura