zoom

Lajme

Propozimi i Berishës: Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, ose mosbindje civile!

Në fjalimin e radhës dhe të përnatshëm përpara mbështetësve të tij, ish-kryeministri Sali Berisha tha se e vetmja zgjidhje është krijimi i një qeverie teknike, për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ai kritikoi situatën ekonomike, të rendit dhe sigurisë, duke theksuar se kjo Qeveri ka humbur besimin e qytetarëve, e mbushur nga skandalet ekonomike dhe abuzimet.

“Rrugë tjetër për t’u marrë me diktaturën, përveç mosbindjes civile nuk ka. Ndaj duhet guxim, guxim dhe guxim. Dhe të shporrim, të largojmë nga pushteti këtë bandë, këtë aleancë të pushtetit me krimin. Të krijojmë qeverinë teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Koha është e guximtarëve, guximtareve.

Ndaj dhe koha ka ardhur, çdo ditë që kalon është ditë e humbur të ecur të sigurt drejt fitores që na pret”, tha midis të tjerash Berisha.

Ish-kryeministri ndodhet në “arrest shtëpie” prej tre muajsh, me vendim të GJKKO, teksa SPAK nuk e lejon të shkojë në Parlament për të ushtruar detyrën e deputetit. GJKKO ka rrëzuar të gjitha kërkesat e avokatëve deri tani, për zbutje të masës. Berisha dhe dhëndri i tij akuzohen për dosjen e kompleksit “Partizani”, akuza që s’i ka pranuar asnjëherë. /ZOOM.AL