Aplikacion
Në propozimin e saj, opozita shkruan se kjo është një masë e pamjaftueshme ndërsa argumenton katër propozimet e saj.
Opozita kërkon të anulohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, e ligjit nr. “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si e papajtueshme me Kushtetutën.
Gjithashtu propozon të anulohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
Propozimi tjetër është anulimi i të gjitha masave administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu propozon të anulohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Opozita argumenton që në kuadër të parimit të barazisë përpara ligjit të gjithë personave fizikë dhe juridikë që do të ishin subjekt përfitues sipas ligjit nëse nuk do të kishin kryer ekzekutimin e masave administrative përpara hyrjes në fuqi të tij, të iu kthehen shumat e paguara.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë qenë gjithnjë kundër qasjes arrogante dhe arbitrare të qeverisë socialiste për të ndëshkuar qytetarët dhe bizneset me gjoba të larta apo masa të tjera administrative, përpara kryerjes së të gjithë përpjekjeve për informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga ligji dhe sanksionet në rast moszbatimi të ligjit.
Megjithatë, qeveria socialiste ka vazhduar të ndëshkojë qytetarët me gjoba dhe penalitete të larta, të cilat në raste të caktuara kanë rezultuar me pasoja shumë të rënda për qytetarët tanë, të cilat në pamundësi për shlyerjen e detyrimeve, kanë konsumuar veprime që kanë përfunduar në burg ose më fatalet i kanë dhënë fund jetës së tyre”, thuhet në njoftimin e PD.
Çfarë parashikon pr.ligji i PS
Sipas projektligjit të Partisë Socialiste bëhet fjalë për ndërtime apo shtesa në banesa në fshatra, apo në objekte të veprimtarive bujqësore dhe blegtorale.
Gjobat do të falen edhe për subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
Duke qenë se drafti propozohet të përfshijë periudhën 1 janar 2015-30 nëntor 2024, parashikon falje të detyrimeve edhe për shkelësit e rregullave të Covid-19.