zoom

Kosova

Prokuroria Speciale e Hagës rikthehet për operacion dhe kontrolle në Kosovë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, tha sot se po kryen operacione dhe kontrolle në Kosovë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Hajredin Kuçi, pjesëtar i ekipit mbrojtës të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konfirmoi për mediat se është kontaktuar nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), lidhur me punën e tij.

Ai hodhi poshtë raportimet se shtëpia e tij është bastisur nga EULEX-i, me urdhër të ZPS-së në mëngjesin e 7 marsit.

“Unë kam kontaktuar me ta drejtpërdrejtë, por as bastisje, as asgjë nuk ka pasur”, tha Kuçi.

Në të kaluarën ai ka mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë edhe atë të ministrit të Drejtësisë në kohën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2015 votuan për themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale.

Mediat në Kosovë më 7 mars kanë raportuar se po kryen bastisje edhe në shtëpinë e Sylejman Selimit, ish-komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

REL-i i është drejtuar EULEX-it, por nga ky institucion ende nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë temë. Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ndër gjykimet që po vazhdon është edhe ai ndaj Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. /REL/