zoom

Aktualitet

Prokuroria nis hetimin për regjistrat e pasurive në Kadastrën e Durrësit

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për skandalin e pronave në bregdet pas denoncimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Kadastrës Artan Lame, për ndërhyrje në regjistër.

Pas një kontrolli të Kadastrës, janë gjetur qindra regjistra me probleme, si faqe të grisura apo të dubluara. Prokuroria e Durrësit ka krijuar një grup të gjerë hetimor për të zbardhur skandalin.

Kështu, organi i akuzës në Durrës, thekson se ka nisur hetimet pas denoncimit se në Kadastrën e këtij qyteti janë konstatuar dëmtime në regjistrat e pronave të vijës bregdetare të zonës së Plazhit, Spitallës, Lalëzit, Draçit dhe Rodonit.

Në njoftim bëhet me dije se me urdhër të drejtueses së prokurorisë për të hetuar këtë skandal, është ngritur një grup i gjerë hetimor me oficerë të policisë gjyqësore, prokurorë, te cilët do të mbledhin prova për autorët e këtyre shkeljeve.

Në një dalje për mediat, Artan Lame denoncoi se këto dosje që shërbejnë për regjistrimin e pronave të shqiptarëve, janë keqpërdorur nga punonjës gjatë 22 viteve më parë, ndërsa ai demonstroi si u janë grisur fletët.

Nga 1063 regjistra, vetëm 152 janë në gjendje të mirë kurse pjesa tjetër kanë modifikime ku mungojnë fletët, sipas tij.

Sipas Lames, nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime. “Zonat bregdetare janë ato që janë abuzuar dhe plaçkitur më tepër”, – vuri në dukje ai.