zoom

Politikë

Prokuroria e Tiranës lehtësoi akuzën për fisin Rraja, reagon Berisha: Urdhër i Ramës

Anëtarët e fisit Rraja që dhunuan barbarisht dy anëtarët e fisit Maja për guroren në Borizanë do të përballen me akuzën e plagosjes së lehtë me vendim të Prokurorisë Tiranë, e cila lehtësoi akuzën për ta.

Për këtë skandal reagoi ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në një shënim në “Facebook” u shpreh se ndryshimi i akuzës nga plagosje e rëndë dhe me qëllim, në plagosje të lehtë, bëhet me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, prokurorët janë vënë në shërbim të kriminelëve, pavarësisht ngjarjes së rëndë që u shënua.

“Shtazërinë e klanit kriminal Rraja, Prokuroria e Tiranës, apo ndryshe Prokuroria Felaj, me urdhër të Ramës e cilëson plagosje të lehtë, nga plagosje e rëndë dhe me qëllim që ishte.

Prokurorë armiq të ligjit, kriminelë të vërtetë! sb”, u shpreh Sali Berisha.

Dhuna kafshërore e Rrajave ndaj Majave për një kallëzim që këta të fundit kishin bërë për guroren në Borizanë ishte një ngjarje e rëndë, që mori përmasa të mëdha.

Prej kësaj ndodhie, u shkri Komisariati i Krujës prej tentativës për ta fshehur atë, ndërsa u sakrifikua edhe Bledi Çuçi nga posti i ministrit të Brendshëm, duke u zëvendësuar nga Taulant Balla.

Po ashtu, Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit.

Anëtarët e fisit Rraja i goditën me shkopinj bejzbolli Jashar dhe Bilbil Majën, pranë një lokali në Borizanë, teksa ata ishin duke pirë kafe, duke iu shkaktuar plagë të rënda në kokë.

Në videon që u publikua dukej qartë dhuna barbare dhe sesi vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja mban një pistoletë në dorë dhe kërcënon dy kushërinjtë.

Por pavarësisht se pamjet flasin qartë dhe anëtarët e fisit Maja morën dëmtime të rënda në kokë, sërish prokuroria e quan këtë plagosje të lehtë