zoom

In Zoom

Projekti/ Si po përpiqet Edi Rama të nxjerrë Sali Berishën e Ilir Metën nga politika me ligj

Me Sali Berishën dhe Ilir Metën në fushën e betejës politike, qetësia dhe komoditeti i Edi Ramës dhe socialistëve është prishur. Deri më tani ata po qeverisnin pa ndonjë sforco të madhe, pavarësisht skandaleve që kanë shoqëruar pandalur qeverisjen e tij.

Kjo duket qartë, jo vetëm në betejën politike të ditës, por edhe në angazhimin e mazhorancës dhe gjithë strukturave të tjera shtetërore, të pavaruara ose jo, në një plan për t’i penguar ata që të jenë në politikë.

ELIMINIMI I SALI BERISHËS

Për Sali Berishën zgjidhja është e thjeshtë. Atë Ramës ia vunë në tavë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për ta shpallur “non grata”.

Nisur pikërisht nga kjo, socialistët kanë përgatitur disa ndryshime ligjore në ligjin e Dekriminalizimit, me anë të të cilave kërkojnë të pengojnë personat e shpallur “non grata” që të kandidojnë për deputetë apo për funksione publike.

Që kjo nismë ka të bëjë me Sali Berishën, nuk ka asnjë dyshim. Po të ishte për çështje parimore, socialistët do ta kishin ndërmarrë atë kur SHBA shpallën “non grata” Vangjush Dakon apo Tom Doshin.

Por aq problematik është Sali Berisha për Edi Ramën, saqë kryesocialisti kërkon ta fshijë tërësisht nga politika. Për këtë qëllim ai i ka vënë socialistët të kërkojnë ndryshime në ligjin për partitë politike. Në të do të sanksionohet që një kryetari partie t’i ndërpritet mandati nëse është zgjedhur në kundërshtim me ligjin për Dekriminalizimin. E po ashtu, askush s’mund të zgjidhet në krye të një partie nëse bie ndesh me këtë ligj.

Nëse kjo do të realizohet, Edi Rama do të mund të mbretërojë gjatë, pa asnjë siklet nga opozita. A do t’ia arrijë? Me votat e mbështësve të Lulzim Bashës, po. Ata janë më të gatshëm se Edi Rama për ta “vrarë politikisht” në mënyrë përfundimtare Sali Berishën. Por a do të mundet Edi Rama t’ia heqë me ligj Sali Berishës mbështetjen që gëzon në radhët e demokratëve? Ky duket një mision i pamundur. Sali Berisha i forcoi madje radhët e veta kur u shpall “non grata” nga amerikanët.

“VRASJA” POLITIKE E ILIR METËS

Me Sali Berishën në njërën anë, Ilir Metën në krahun tjetër dhe me një mal me skandale në mes në 9 vjet qeverisje, socialistët e kanë humbur toruan.

Për këtë arsye ata po luajnë gjithçka për gjithçka.

 Plani për eliminimin politik të Ilir Metës është pak më i komplikuar, pasi ndërthur në vetëvete disa faktorë apo elementë dhe përfshin disa institucione siç është SPAK, Autoriteti i Dosjeve dhe KQZ.

Për Ilir Metën, lufta po bëhet në dy drejtime: në atë që ka të bëjë me veprat penale të deklarimit dhe fshehjes së pasurisë dhe atë që lidhet me despiunizimin e politikës apo largimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nga skena politike.

Për të realizuar skenarin e parë, pra atë për akuzat penale, në lojë është përfshirë SPAK, i cili nuk ka ngurruar të nisë dy hetime penale nga një ish -deputet pa identitet politik, si Halit Valteri dhe nga një gazetar.

Ish -deputeti që u fut në parlament “me shtesat” e PD pas djegies së mandateve dhe që më pas kandidoi për PS, ka mbledhur dy shkrime gazetash dhe i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë, a thua se SPAK nuk mund ta bënte këtë me iniciativën e vet.

Që këtu loja është e qartë. Hetimi s’ka të bëjë në të vërtetë me zbulimin e pasurisë së fshehur të Metës, por me goditjen e tij politike, që Edi Rama të mos e ketë përballëë.

Skenari tjetër paralel ka përfshirë Autoritetin e Dosjeve. Në mes të korrikut, Autoriteti që drejtohet nga Gentiana Sula, bashkëshortja e një biznesmeni të njohur për lidhjet me pushtetin, Gentian Sulës, nxorri nga hiçi një deklaratë, ku bënte të ditur se një funksionar i lartë publik me inicialet I.M kishte rezultuar me dosje.

????????????????????????????????????

Autoriteti i Dosjeve kërkoi ndihmën e Kuvendit, që nisur nga rasti në fjalë, të bëheshin ndryshimet e nevojshme ligjore, ku t’i jepej mundësia këtij institucioni për të rivlerësuar çertifikatat e pastërtisë së figurës me të dhënat e dala rishtazi.

Dhe nuk vonoi dhe brenda pak javësh socialistët përgatitën dhe dorëzuan në Kuvend nismën, e cila mundëson që edhe ata persona apo subjekte që janë vlerësuar nga komisionet e mëparshme të dosjeve, të rivlerësohen sërish në bazë të të dhënave të tjera.

Ky ndryshim është shoqëruar dhe me disa amendamente të tjera të përgatitura nga socialistët dhe që prekin edhe ligjin “Për partitë politike” dhe Kodin Zgjedhor.

NDRYSHIMET LIGJORE

Ndryshimet në ligjin “Për partitë politike” synojnë të ndalojë zgjedhjen e Metës në krye të Partisë së Lirisë dhe nëse është zgjedhur deri sa ndryshimet të miratohen, të bëjë shkarkimin e tij.

Më konkretisht nenit 1 të ligjit aktual i shtohet edhe një pikë tjetër ku sanksionohet ndalimi ushtrimit të detyrës të një kryetari kur vërtetohet se është zgjedhur në kundërshtim me ligjin e Dekriminalizimit, ku një nga ndalesat është edhe pasja e dosjes si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Ndryshon edhe neni 9 duke vendosur kushte të reja për regjistrimin e një partie politike.

“Përpara regjistrimit, organet themeluese i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin nëse kryetari i zgjedhur i partisë përfshihet në ndalimet e parashikuara nga ligji nr.138/2015.  Vërtetimi negativ i lëshuar nga KQZ-ja është pjesë e dokumenteve për regjistrimin e parties në gjykatë”, thuhet ne kete amendament.

Neni 26 parashikon se në rastet kur KQZ-ja vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit të dekriminalizimit, i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi.

Në rast se me kalimin e afatit dy mujor, partia politike nuk ka zbatuar procedurat statutore për zëvendësimin e kryetarit, ose, sipas rastit, nuk ka zgjedhur kryetarin e ri, atëherë KQZ-ja vendos ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së partisë politike.

Vendimi i KQZ-së regjistrohet në regjistrin e partive politike, ndërsa gjykata shpërndan partinë politike dhe e çregjistron atë nga regjistri i partive politike.

Por socialistët nuk synojnë ta ndalojnë Ilir Metën vetëm nga drejtimi i Partisë së Lirisë, por edhe nga kandidimi për deputetë apo drejtues të pushtetit vendor.

Për këtë shërbejnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Socialistët kanë paraqitur disa ndryshime në Kod, dhe në mënyrë konkrete në nenin 63 të tij.

Në nenin 63/1 kërkohet të përcaktohet se partitë politike, 70 ditë para zgjedhjeve, paraqesin një formular për secilin kandidat në Autoritetin e Dosjeve.

Ky institucion është i detyruar të kryejë verifikimin. Dhe sipas projektit askush nuk mund të kandidojë më pa e marë këtë çertifikatë.

Në pikën 3 të nenit 63, thuhet në mënyrë taksative se KQZ nuk regjistron si kandidat një politikan, i cili rezulton i lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.

PARADOKS

Natyrisht që të kërkosh të largosh Ilir Metën nga politika, duke u bazuar vetëm në një thashethem të krijuar nga një email anonin që i ka mbërritur Autoritetit të Dosjeve, se ai ka dekonspiruar një arratisje të mundshme të një shoku të tij student gjatë viteve 90, (edhe pse ai e ka mohuar që të jetë Ilir Meta) është një paradoks i madh për shoqërinë shqiptare.

Kjo shoqëri nuk ka nxjerrë ende jashtë ligjit Partinë Komuniste, idhtarët dhe anëtarët e së cilës mbajnë çdo 16 shtator, 16 tetor, 8 nëntor apo 29 nëntor fotografitë e diktatorit më të egër komunist në Europë, Enver Hoxhës dhe simbolet e një regjimi vrastar si ai që ndërtoi kjo parti për afro 5 dekada në Shqipëri.

Të largosh kundështarët me ligj se dyshohet që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit është po ashtu paradoksale, për aq kohë sa në gjyqësor, në polici, madje edhe në grupin parlamentar të Partisë Socialiste ka ende hetues e persekutorë të regjimit komunist. /Zoom.al