zoom

Ekonomi

Profesionistët e shkurtuar nga fasoneritë, po punësohen nga pularitë në Durrës

Prej më shumë se një muaji, ish të punësuarit në fabrikat fason në zonat Durrës, Sukth, Shijak po punësohen në stabilimentet e rritjes së shpendëve. Lilo Seraj, nga kompania e prodhimit të vezëve “Ovvital”, tha se këto lëvizje po shtojnë rekrutimet e punonjësve të kualifikuar.

“Problemet me fuqinë punëtore prej 3-4 vitesh kanë qenë të vazhdueshme. Përveçse mungon fuqia punëtore, edhe ajo pjesë që është e gatshme, është e pakualifikuar.

Për shkak të problematikave që po has sektori fason, këtë vit kemi prurje në burime njerëzore pak më të kualifikuara dhe besoj një pjesë e sektorëve që po hasin vështirësi do të sistemohen me fuqinë punëtore që po rrjedh nga fasonët”.

Më herët, kryetari i Shoqatës Pro-Eksport Albania, Edvin Prençe, pohoi se për muajin janar 2023, nga fabrikat e këpucëve dhe veshjeve fason në qytetet, si: Shkodër, Vau i Dejës, Has, Laç, Fushë-Krujë, Krujë, Elbasan, Gramsh dhe Bilisht u shkurtuan 3,000 vende pune.

“Situata është kritike, për të mos thënë apokaliptike nga mbyllje të përditshme të bizneseve dhe shkurtime të vendeve të punës. Kemi raport lufte ekonomike me rreth 500 vende pune në jave në të gjithë Shqipërinë (nga data 4 janar 2024 deri më sot, rreth 3,000 vende pune të shkurtuara)”, u shpreh ai më herët.

Sipas tij, shkak i shkurtimeve të vendeve të punës është rënia e kursit të këmbimit dhe si pasojë, humbja e konkurrueshmërisë, mungesa e theksuar për likuiditet të bizneseve për të rinovuar impiantet prodhuese dhe blerjen e lëndëve të para dhe diversifikimin e klientelës aktuale Europiane.

Z. Prençe nënvizoi se zonat më të prekura janë ato rurale, në të cilat ndikimi social është më i lartë.

Efektet e mungesës së fuqisë punëtore, eksportuesit hedhin sytë nga India

Problematikë e mprehtë për sektorin vijon të mbetet edhe mungesa e fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese të bimëve mjekësore.

Filip Gjoka, nga “Filipi Co”, pohon se zgjidhje e vetme ka mbetur punësimi i punonjësve indianë, pasi fuqia vendase ka emigruar.

“Sektori po has shumë vështirësi edhe me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit.

Kjo po sjell jo vetëm lënien e tokave djerr, por edhe rënien e sasisë së bimëve të grumbulluara në zonat malore, për shkak të shpërnguljes apo largimit në emigracion të banorëve, por edhe mungesës së fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese.

Zgjidhja e vetme mbetet punësimi i të huajve. Deri tani, kompania jonë ka punësuar 10 punonjës nga India. Rendimenti i tyre në punë është i kënaqshëm.

Pritet që për muajin tjetër të vijnë edhe 20 punonjës të tjerë nga India”, tha ai.

Për të mbajtur fuqinë punëtore, bizneset janë detyruar të rrisin herë pas here pagat e punonjësve. Orges Liperi thotë se shtimi i kostove nga rritja e pagave ka ndikuar në kosto më të larta për produktin final.

“Po hasim vazhdimisht probleme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Për të parandaluar boshllëkun e radhës që mund të krijohet nga largimi i punonjësve, kemi rritur pagat dhe mbajmë të punësuar më shumë se sa nevojiten, duke rritur koston për produktin përfundimtar”, nënvizon drejtuesi i kompanisë “Albanian Trading Company” sh.p.k.

Ndërsa Kujtim Zere, drejtues i kompanisë “Albanian Herb”, shton se sektori do të mund ta përballonte edhe një vit koston e fuqisë punëtore, për shkak të rritjes së pagave dhe të mungesës së tyre.

“Zona e Belshit është mjaft e pasur me kultivim të bimëve mjekësore dhe aromatike, një burim jetese për banorët e zonës. Por shumica e tyre kanë emigruar në Greqi për të kryer punë të ngjashme apo në Itali me të njëjtën pagë. Kjo është vërtet e çuditshme!”/ Monitor