zoom

Ekonomi

Prodhimi i armëve si investim strategjik/ Qeveria heq taksat për prodhuesit. Edhe privati në lojë

Jo vetëm shteti do të ketë mundësinë për të prodhuar armë dhe municione në Shqipëri. Sipas një draftligji, ministria e Mbrojtjes i jep të drejtë edhe subjekteve private për të prodhuar dhe shitur armë.

Pranë ministrisë për mbrojtjen krijohet Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, AIM, e cila do të jetë përgjegjëse për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak.

Por qeveria ka parashikuar një sërë masash lehtësuese për prodhuesit e armëve, duke nisur nga barra tatimor. Çdo subjekt që investon minimumi 25 mln euro, do të ketë prioritet në shërbime, do të jetë i përjashtuar për 10 vite nga tatim-fitimi dhe nga taksat vendore dhe qendrore të pasurisë. Nuk do të taksohet as për infrastrukturën dhe as për transportet në doganë. Prodhuesit dhe tregtarët e armëve do t’i paguajnë shtetit shqiptar vetëm 10% TVSH.

Ata do të kenë suport dhe në faturat utilitare, si energji elektrike, ujë, gaz për 10 vite dhe do të kenë qasje në fond mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.

Draftligji thotë se ndalohet prodhimi dhe tregtimi i armëve dhe teknologjive të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore.

Ky është projektligji i dytë për armët që publikon ministria e Mbrojtjes. Në fund të majit, ajo nxorri dokumentin që parashikonte krijimin e “Kayo”, kompanisë shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve etj. Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Qeveria mori seriozisht propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kur dy muaj më parë në Tiranë, i tha kryeministrit Edi Rama, që Shqipëria të përfshihet në industrinë e prodhimit të armëve, për të përballuar agresionin rus.