zoom

Aktualitet

Problemet në Kadastër, KLSH kërkon auditim urgjent

Burime jozyrtare nga Kontrolli i Lartë i Shtetit bëjnë me dije se kreu i institucionit ka urdhëruar një auditim urgjent të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

“Duke marrë masa të menjëherëshme për të hetuar dhe korrigjuar problemet në sistemin e shërbimeve online në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, KLSH vlerëson si emergjencë shqetësimin e ngritur nga mediat,” thonë burime zyrtare nga KLSH sipas portalit oligarkia.al.

Urdhëri vjen pothuajse dy muaj pas problemeve zinxhir në shërbimet kadastrale, që nisën që nga  momenti i ‘digjitalizimit’ të Kadastrës dhe  largimit të punonjësve.

Sipas Ramës dhe drejtoreshës së re të ASHK-së Dallëndyshe Bici, ky vendim do të mundte të ndalte korrupsionin e lënë pas nga paraardhësi Artan Lame dhe njerëzit e tij. Dy muaj nga epoka e re e Kadastrës, e vetmja gjë që ka ndaluar është funksionimi i agjencisë më me rëndësi në vend.

Noterët, bankat dhe vetë qytetarët kanë mbetur pezull nga mosfunksionimi i Kadastrës. Gjithsesi duhet theksuar se procesi online vijon pa probleme, por ngec tek proceset fizike që përgatiten nga specialistët e ASHK-së, përgjigje, dokumente, konfirmime etj.