zoom

Të gjitha

Prishtina kundër propozimit KE për heqjen e vizave edhe për serbët e Kosovës

Qeveria e Kosovës tha, se është e shqetësuar dhe e kundërshton një propozim të fundit të Komisionit Evropian, sipas të cilit vizat nga 1 janari i vitit 2024 duhet të hiqen edhe për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë të lëshuara nga një Drejtori Koordinuese e Serbisë që funksionon në Kosovë.

Për qeverinë e Kosovës, kjo drejtori Koordinuese është strukturë ilegale e Serbisë në Kosovë dhe si e tillë duhet të cilësohet e jashtëligjshme edhe nga Komisioni Evropian.

Qeveria e Kosovës, thotë se qytetarët serbë të Kosovës duhet të pajisen me pasaporta të Kosovës që të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.

Ndryshim i qëndrimit të Komisionit Evropian

Në prill të këtij viti, vetë Komisioni Evropian kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese, e cila punon në Kosovë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Por me propozimin e ri, KE-ja tha se tashmë nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë, tha se “propozimi i fundit i KE-së për pasaportat që lëshohen “nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar fare me Qeverinë e Kosovës”.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Qeveria e Kosovës e fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, shkroi Bislimi në një reagim./DW

Postime të lidhura