zoom

In Zoom

Prestige Resort, hakmarrja e Ramës ndaj mediave që s’i bëjnë fresk propagandës së tij

Ishte ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, kur Policia e Shtetit, IKMT-ja dhe forcat xhenio zbarkuan befas në “Prestige Resort”, Golem.

Pushuesve dhe stafit iu kërkua të largoheshin menjëherë, zona u rrethua me shiritin e verdhë “Vendngjarje, mos kalo”, teksa gazetarëve dhe operatorëve iu ndalua depërtimi tej rrethimit.

Një skenë terrorizuese, që përngjasonte me një alarm të mundshëm për bombë apo arrestimin e një personi të rrezikshëm. Në fakt bëhej fjalë për një operacion surprizë, pa një mandat zyrtar veprimi dhe mbi të gjitha pa një paralajmërim paraprak. Ndonëse u tha se gjithçka ishte afishuar në Bashkinë e Kavajës, kamerat vërtetuan se në ambientet e kësaj të fundit nuk shkruhej gjëkundi për çfarë do të ndodhte më tej. Fadromat shembën restorantin e resortit të biznesmenit Irfan Hysenbelliu.

Mediat nën pronësinë e Hysenbelliut, saktësisht News 24, BalkanWeb dhe Panorama pasqyruan ngjarjen duke e cilësuar haptaz sulm të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, si pasojë e linjës së tyre editoriale. Një aksion i tillë “pastrimi bregdeti” erdhi pas atij të disa muajve më parë, ku po në mënyrë të papritur, fadromat mbinë në “Prestige Resort” dhe shkatërruaj pishinat, me argumentin se ishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Ndodhitë zinxhir ngrenë pyetje sa të thjeshta edhe aq qesharake: Përse u lejua ndërtimi i restorantit dhe i pishinave, nëse ishin pa leje? Përse nuk u bllokuan që në nisje?

Ndërtimi i një objekti të tillë nuk mund të bëhet brenda një nate. Procesi kërkon javë e muaj dhe IKMT mund të kishte ndërhyrë në kohë për ta ndaluar pa u bërë investimi. Por në atë kohë, mediat e Hysenbelliut reklamonin punët e qeverisë dhe vetë Edi Rama pushonte nën freskun e pishave të “Prestige Resort”. Jo vetëm kaq, por resorti do të reklamohej sikur të ishte objekt-kult, pas dakordësisë së pronarëve për akomodimin e afganëve në ambientet e hotelit.

E dyshimtë se si shteti i është qepur pas një resorti në Golem, që deri më herët shihej jo pak si vendqendrim kyç për turistët e zonës, por nga ana tjetër mbyll sytë përpara pallateve shumëkatëshe në mes të Tiranës, që kanë ngritur kate pa leje.

Zoom.al ka denoncuar vazhdimisht parregullsi dhe shkelje flagrante në ndërtim objektesh, që lulëzojnë prej lëshimeve dhe favorizimeve qeveritare.

Një standard i dyfishtë ky që dëshmon se duhet ta mbash mirë, përndryshe nëse shkel në dërrasë të kalbur, ndëshkimi shtetëror nuk vonon.

I pyetur sot rreth aksionit në fjale, Rama tha se është shkelur leja e ndërtimit dhe se askush s’do guxojë të bëjë të fortin mbi ligjin.

Kundërpërgjigjja nga mediet e Hysenbelliut nuk vonoi:

“Për cilin ligj flet kryeministri Edi Rama kur kërkon të justifikojë sulmin mbi Prestige Resort është e vështirë të thuhet. Por ato që ekzistojnë, janë konkrete, me vulë e firmë dhe janë dokumentet. Vetë kryeministri Edi Rama si kryetar i KKT-së ka firmosur për projektin dhe ndërtimin e Prestige Resort. Pra, jo vetëm një legalizim nga IKMT dhe drejtoresha e tij Dallëndyshe Bici, por edhe vetë firma e tij.”

Opozitarë, aktivistë dhe gazetarë e kanë cilësuar të gjithën këtë si sulm ndaj fjalës së lirë. Cilado qoftë arsye, Ramës i duhet të vijojë punën që i hapi vetes; të rrafshojë lokale që zaptojnë trotuare, resorte që mbijnë nga hiçi dhe kate plus, të papërfshira në projekt. Mund ta nisë me 5 katet pa leje të Kastratit, që i legalizoi vetë, me një VKM.