zoom

Bota

Presidenti u arrestua nga Garda, vetëshpallet lideri i Nigeri, rol kyç në grushtin e shtetit

Nigeri u trondit nga një grusht shteti, i pesti që kur vendi fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960.

Sipas njoftimeve të ushtrisë gjenerali Omar Abdurahman Çiani, i cili luajti një rol kryesor gjatë grushtit të shtetit, u shpall kreu i ri i Nigerit. Omar Abdurahman Çiani u prezantua në televizionin shtetëror si mbajtës i funksionit të presidentit të këshillit kalimtar, që mori pushtetin pas grushtit të shtetit.

Një grup ushtarësh në Niger njoftuan të mërkurën (26.07). se kishin rrëzuar nga pushteti presidentin, Mohamed Bazum, i cili qe zgjedhur në mënyrë demokratike. Kolonel-majori, Amadu Abdramane, tha se Garda Presidenciale e Nigerit e ka arrestuar presidentin Bazum.

“Kjo vjen pas përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë, qeverisjes së dobët ekonomike dhe sociale,” tha kolonel-majori i Forcave Ajrore në një fjalim televiziv.

Komanda e ushtrisë së Nigerit i mbështeti zyrtarisht ushtarët në përpjekjen e tyre për grusht shteti.

Reagime nga rajoni dhe bota

Udhëheqës nga vendet e rajonit dhe si dhe nga vende të tjera e dënuan menjëherë përpjekjen për grusht shteti dhe bënë thirrje që presidenti Bazum të lirohet.

Presidenti i Beninit, Patrice Talon, shkoi në kryeqytetin e Nigerit, Niamey, dhe tha se “nëse është e nevojshme do të përdoren të gjitha mjetet për të rivendosur rendin kushtetues në Niger, por idealja do të ishte që gjithçka të bëhej në paqe dhe harmoni.”

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se OKB-ja e dënon me forcë “sulmin kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike” në Niger.

Si është situata në Niger?

Kolonel-majori, Amadu Abdramane, tha në emër të ushtarëve rebelë, tha se kufijtë e Nigerit janë mbyllur dhe se “të gjitha institucionet” në vend do të pezullohen.

Nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit në vend është vendosur gjendje shtetrrethimi “deri në një njoftim tjetër”.

Pas lajmit për përpjekjen për grusht shteti në kryeqytetin e vendit Niamei pati të mërkurën dhe të enjten demonstrata të shumta./DW