zoom

Bota

Presidenti i Ukrainës Zelensky publikon “Planin e Fitores”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky prezantoi “planin e tij të fitores” sot në parlamentin e vendit.

Planin prej pesë pikash parashikon ndër të tjera anëtarësimin e Ukrainës në NATO para përfundimit të luftës, që nuk është mbështetur nga aleatët e Kievit. Presidenti Zelensky, megjithatë, u zotua se nëse plani i tij pranohet, lufta do të përfundonte së shpejti.

“Nëse fillojmë të zbatojmë këtë plan të fitores tani, ne mund ta përfundojmë luftën jo më vonë se vitin e ardhshëm”, tha Presidenti i Ukrainës Volodmy Zelensky para parlamentit të vendit duke prezantuar idenë e tij se si mund t’i jepet fund luftës me Rusinë.

Fjalimi i tij në Parlament u ndoq edhe nga drejtuesit e lartë ushtarak, të kundër-zbulimit dhe drejtues të tjerë politik. Ndërsa trupat ruse përparojnë në lindje dhe me paralajmërimet se vendi do të përballet me një dimër të rëndë për shkak të shkatërrimit të sistemit të energjisë elektrike, zoti Zelensky u tha ligjvënësve se plani i tij përmbante pesë pika kryesore.

Plani përfshin elementë ushtarakë, politikë, diplomatikë dhe ekonomikë. Ai vlerësohet nga shumë njerëz si përpjekja e fundit e Ukrainës për të forcuar pozitat e saj në negociatat që mund të mbahen në të ardhmen me Rusinë, për arritjen e një armëpushimi. Megjithatë, deri më tani, asnjë vend nuk e ka përkrahur publikisht planin.

“Pika e parë është ftesa për t’u anëtarësuar në NATO tani. Pika e dytë është mbrojtja. Është realiste të mbrojmë pozicionet tona në fushën e betejës dhe në të njëjtën kohë është detyra jonë ta çojmë luftën në territorin e Rusisë”, tha Presidenti ukrainas.

Kërkesa e Kievit për të përdorur armatimet e siguruara nga shtetet kryesore evropiane dhe Uashingtoni, për të sulmuar objektivat thellë brenda Rusisë, nuk është pranuar deri më tani. Perëndimi gjithashtu nuk i ka ofruar Kievit ftesën të fillojë procesin e anëtarësimit në NATO, para përfundimit të luftës.

Pika e tretë e planit thekson nevojën që Ukraina të siguronte një kapacitet parandalues jo-bërthamor, që sipas zotit Zelensky do të ishte i mjaftueshëm për të shkatërruar fuqinë ushtarake ruse. Ai nuk dha detaje të mëtejshme për këtë. Plani, tha zoti Zelensky, parashikonte gjithashtu një rol perëndimor në mbrojtjen e burimeve natyrore minerale të Ukrainës nga sulmet ruse si dhe zotimet për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Kremlini tha se është ende herët të komentojë pëpr planin e Presidentit Zelensky, por shtoi se Kievi duhet “të zgjohet” dhe të kuptojë kotësinë e politikave të tilla. Presidenti Zelensky u takua me Presidentin Joe Biden, aleatin e tij kryesor, në Uashington në fund të shtatorit, për të paraqitur planin e tij. Më pas ai udhëtoi në Evropë ku u takua me drejtuesit e Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Presidenti Zelensky tha se do të shkojë nesër në Bruksel për të prezantuar planin në takimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Presidenti i Ukrainës ka dëshirë të sigurojë mbështetje për “planin e fitores” përpara se të betohet presidenti i ri amerikan vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët ukrainas e pranojnë se asnjë nga kandidatët për president nuk do ta përmirësojë domosdoshmërisht pozicionin e Kievit në luftë.

Prezantimi i zotit Zelensky në parlament vjen gjatë një momenti të zymtë në Ukrainë. Ushtria e vendit po pëson humbje përgjatë frontit lindor, ndërsa forcat ruse po afrohen drejt një fitoreje të rëndësishme strategjike pranë qendrës kryesore logjistike të Pokrovskut.

/VOA